LAJMI I FUNDIT:

Rrugët e Shkupit përplot me lypsarë (Video)

Rrugët e Shkupit përplot me lypsarë (Video)

Mjerimi nuk do mëshirë, por vetëm drejtësi. Ky varg i Migjenit sikur tingëllon fuqishëm rrugëve të Shkupit, të cilët janë të mbushur me njerëz që shtrijnë dorën për pak bukë. Tragjike janë pamjet, sidomos kur rrugëve të Çarshisë sheh fytyra të njoma, të mitur që për arsye të ndryshme janë detyruar që të bredhin rrugëve duke kërkuar lëmoshë. Por sado që mëshirbërës të jenë, pronarët e dyqaneve në Çarshi kërkojnë që kjo pamje të ndryshojë, ky imazh që Çarshisë i jep hijen e një hapësirë kur mbretëron varfëria e jo esnafllëku.

Pavarësisht se kjo dukuri alarmante paraqitet në territorin e komunës së Çairit, nga ky institucion shfajësohen duke thënë se një gjë e tillë nuk është në kompetencë të tyre.


“Strategjia e zgjidhjes së këtij problemi nuk është nën kompetencën e Komunës së Çairit. Mekanizmat përkatës për përmirësimin e kësaj situate alarmante e definon Ministria për Punë dhe Politikë Sociale”, thanë për Alsat-M nga Komuna e Çairit.

Pavarësisht tentimeve të shumta nga Alsat, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale nuk ishte e kapshme për të dhënë informata se sa ata kanë nën përkujdesje këtë kategori të qytetarëve. Ministria e Brendshme njoftoi se policët sanksionojnë lypsarët në rrugë. Ndërkaq Ambasada e fëmijëve “Megjashi” thotë se dalja e fëmijëve në rrugë për të mbledhur para paraqet shkeljen e Konventës për të drejtat e fëmijëve.

Neni 24 i ligjit për shkelje të rendit dhe qetësisë publike thotë se “ Personi i cili do kapet duke kërkuar lëmoshë, do të gjobitet nga 15 deri në 50 euro”./Telegrafi/