RrOK kritikon Komunën e Prizrenit për subvencionet kulturore për vitin 2026

Rrjeti i Organizatave të Kulturës (RrOK) ka reaguar në Facebook, duke shprehur shqetësim të thellë ndaj Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prizrenit, për atë që e ka cilësuar si neglizhencë dhe zvarritje të procesit të subvencioneve kulturore për vitin 2026.
Sipas RrOK-së, si pasojë e kësaj qasjeje, organizata që prej vitesh kontribuojnë në zhvillimin e kulturës dhe turizmit në Prizren, përfshirë edhe ato që promovojnë trashëgiminë, identitetin dhe diversitetin e komuniteteve të qytetit, janë lënë anash dhe përjashtuar nga proceset mbështetëse “pa kritere të qarta, transparente dhe të qëndrueshme”.
“Kultura nuk është lëmoshë, por identiteti i Prizrenit! Mjaft me injorim administrativ”, thuhet në reagimin e RrOK-së, teksa i bëhet thirrje udhëheqësisë së komunës për veprim të menjëhershëm.
RrOK ka paraqitur edhe tri kërkesa, duke kërkuar publikimin e listës përfundimtare, trajtim transparent të ankesave dhe rishikim të buxheteve.
“Publikimi i menjëhershëm i listës përfundimtare të subvencioneve”, “Shqyrtim transparent, i drejtë dhe profesional i të gjitha ankesave të dorëzuara” dhe “Rishikim i buxheteve dhe kthim i mbështetjes për organizatat që mbajnë gjallë jetën kulturore në qytet”, janë kërkesat e paraqitura në reagim.
Në reagim thuhet se zbehja e mbështetjes në vitin 2026, sipas RrOK-së, nuk paraqet vetëm dështim administrativ, por “goditje direkte” ndaj skenës së pavarur kulturore, duke pretenduar se kjo qasje synon të cenojë autonominë operative dhe të zbehë zërin kritik të organizatave.
“Zbehja e mbështetjes në vitin 2026 nuk përbën thjesht një dështim administrativ, por një goditje direkte në tendencën e kontrollit dhe dobësimit të skenës së pavarur kulturore”, thuhet në reagim.
RrOK ka kërkuar zgjidhje të drejtë, duke theksuar se komuniteti kulturor ka qenë “hisedar kyç” i Prizrenit për dekada.
“Presim zgjidhje të drejtë TASH!”, përfundon reagimi. /Telegrafi/

































