Organizata “Ec Ma Ndryshe” ka kërkuar angazhim më të madh institucional dhe qytetar për mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e aseteve të trashëgimisë kulturore në Prizren.

Përmes një postimi në Facebook, organizata ka ngritur shqetësime lidhur me gjendjen aktuale të çezmës së Shatërvanit dhe gjashtë çezmeve në Marash, duke vlerësuar se ato kanë nevojë për mirëmbajtje të rregullt.


“Gjendja aktuale e çezmës së Shatërvanit dhe e gjashtë çezmeve në Marash dëshmon nevojën për mirëmbajtje më të rregullt dhe të vazhdueshme nga institucionet përgjegjëse, por edhe vetë komuniteti”, thuhet në reagimin e organizatës.

Sipas “Ec Ma Ndryshe”, çezma e Shatërvanit është monument i mbrojtur i trashëgimisë kulturore dhe është restauruar vite më parë me fonde të UNESCO-s.

“Çezma e Shatërvanit, një monument i mbrojtur i trashëgimisë kulturore, është restauruar vite më parë me fondet e UNESCO-s, çka e bën edhe më të rëndësishme mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e saj të vazhdueshme”, thuhet në postim.

Organizata u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të shtojnë angazhimin për mirëmbajtjen e këtyre aseteve.

“EC Ma Ndryshe u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të shtojnë angazhimin për pastrimin, mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e këtyre aseteve nga dëmtimet dhe mbishkrimet”, ka deklaruar organizata.

Në të njëjtën kohë, “Ec Ma Ndryshe” ka apeluar edhe te qytetarët që të tregojnë më shumë kujdes ndaj monumenteve të trashëgimisë kulturore.

“Ruajtja e trashëgimisë kulturore është përgjegjësi e vazhdueshme institucionale dhe qytetare”, thuhet në reagim.

Organizata ka vlerësuar se këto asete përveç rëndësisë historike dhe kulturore, kanë ndikim edhe në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.

“Ato janë vlera të përbashkëta të qytetit dhe, përveç rëndësisë historike e kulturore, kontribuojnë edhe në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale”, përfundon reagimi. /Telegrafi/