Hussan Osman, 25-vjeçar nga Siria, ka arritur të hyjë të premten në mëngjes në Kosovë në mënyrë ilegale nga Shqipëria. Ai më pas është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe pas një intervistimi, është dërguar në qendrën e azilit në fshatin Vranidoll të komunës së Prishtinës.
Ai thotë se për të ardhur në Kosovë kishte paguar një shqiptar nga Shqipëria me 200 euro, i cili i ka treguar një rrugë ilegale malore deri në Kosovë. Osman në Shqipëri kishte qëndruar 3 ditë, derisa për të dalë nga kampi i azilit në Greqi, ku ishte strehuar paraprakisht, kishte paguar 1000 euro.
“Kam ikur nga Siria për shkak të luftës. Kam shkuar fillimisht në Turqi e pastaj në Greqi, Shqipëri dhe tani në Kosovë. Unë dua të shkoj në Zvicër, ta ndihmoj familjen dhe ta marr familjen time në Zvicër”, thotë Osman.
Më shumë se 300 persona, kryesisht nga Siria, gjatë janarit të vitit 2020, kanë hyrë në Kosovë në mënyrë ilegale dhe kanë kërkuar azil. Institucionet e Kosovës thonë se kanë pranuar dhe kanë ofruar kushtet e nevojshme për të gjithë atë persona, të cilët kanë kërkuar të qëndrojnë në Kosovë.
Valon Krasniqi, drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion thotë për Radion Evropa e Lirë, se në fillim të këtij viti është shënuar trend i rritjes së azilkërkuesve në krahasim me dy vitet e kaluara.
“Si në vitin 2019, edhe këtë vit dominojnë sirianët, do të thotë numri më i madh është nga Siria apo rreth 60 për qind. Kemi kërkesa për azil edhe nga shtetas të tjerë si nga Algjeria, Maroku, Autoriteti Palestinez, Iraku, pastaj kemi nga Irani dhe vende të tjera”, bën të ditur Krasniqi.
Ai tregon se shumica e këtyre personave kanë hyrë në mënyrë ilegale nga territori i Shqipërisë që lidhet me Kosovën.
“Është duke u shfrytëzuar ajo që quhet rruga e Ballkanit Perëndimor nga Greqia në Shqipëri, Mal të Zi drejt Bosnjë e Hercegovinës. Kjo është ajo rruga kryesore, nëpër të cilën kalojnë emigrantët. Një pjesë e madhe e tyre edhe vitin e kaluar, po edhe këtë vit, po e shfrytëzojnë Kosovën. Ata hynë nga Greqia në Shqipëri dhe më pas nga Shqipëria në Kosovë”, theksoi Krasniqi.
Mustafa Anis, një 22-vjeçar, është një azilkërkues tjetër i ardhur nga Autoriteti Palestinez. Ka 4 ditë që Anis është duke qëndruar në Kosovë, por nuk planifikon të qëndrojë edhe kohë të gjatë. Ai thotë se në mundësinë e parë që do t’i jepet, ai do të niset drejt Serbisë për në vendin e tij të preferuar, Gjermaninë, edhe pse nuk ka asnjë lloj të dokumenteve të udhëtimit.
“Unë dua të shkoj në Gjermani, vëllai dhe motra ime janë në Gjermani. Nga Serbia në Hungari dhe më pas edhe në Gjermani. Nuk e di si, do shkoj me autobus apo me taksi, nuk e di”, thotë ai.
Kurse, Ammar Bero, 30 vjeç, thotë se ka më shumë se gjashtë muaj që ka ikur nga vendi i tij, Siria, duke qëndruar nga një shtet në tjetrin. Ai ka tri ditë që është në Kosovë. Për të ardhur deri në Kosovë nga Shqipëria u detyrua të rrinte pa gjumë dy net, gjatë së cilave ka udhëtuar. Edhe ai, synim e ka shtetin e Gjermanisë, por si do të arrijë deri atje, nuk e di dot.
“Dua të shkoj në Gjermani, familje ime është në Siri, atje kam lënë edhe një vajzë dyvjeçare”, tregon Bero.
Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme thonë se edhe Kosova, si edhe vendet tjera të rajonit, janë duke u shfrytëzuar nga emigrantët si vend transit për të kaluar më pas në vendet e tjera të destinacionit.
Zona ku shumica e emigrantëve janë kapur duke hyrë në territorin e Kosovës, është zona e gjelbër në Vërmicë, fshat në komunën e Prizrenit, pranë vendkalimit kufitar Kosovë-Shqipëri.
“Koha mesatare e qëndrimit të një azilkërkuesi në Kosovë ka qenë 12 ditë deri në 14 ditë”, thotë Valon Krasniqi.
Sipas të dhënave nga ministria, azilkërkuesit kur duan të largohen nga Kosova, fillimisht si destinacion e kanë Serbinë, prej nga vazhdojnë drejt vendeve të zhvilluara evropiane.
Institucionet e Kosovës, vite më parë kanë rregulluar një qendër për azilkërkues me kapacitet për 100 persona në fshatin Magure të Komunës së Lipjanit.
Por, për shkak të rritjes së numrit të azilkërkuesve, vitin e kaluar është hapur edhe një qendër tjetër për emigrantet në fshatin Vranidoll të komunës së Prishtinës, ku aktualisht janë duke qëndruar rreth 100 persona.
Qendra ka kapacitet të mjaftueshëm për numrin aktual, por me rritjen e numri të azilkërkuesve, ajo mund të mbipopullohet.
Fitim Zariqi, drejtor i Qendrës për Azil në fshatin Magurë të Lipjanit dhe asaj tashmë të hapur në Vranidoll, thotë për Radion Evropa e Lirë se me rritjen e numrit të azilkërkuesve, po i shtojnë edhe përpjekjet për menaxhimin e situatës.
“Deri tani nuk kemi shumë telashe, jemi në organizim e sipër që t’i menaxhojmë edhe të gjitha objektet e tjera që janë, veç qendrës për azil në Magurë. Tani është rritur numri dhe po vazhdon që të rritet”, thotë Zariqi.
Drejtori ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë, Behxhet Shala, thotë për Radion Evropa e Lirë se kushtet në qendrat e azilkërkuesve në Kosovë janë të mira dhe azilkërkuesit trajtohen mirë.
“Mundësitë që i ka Kosova, azilkërkuesit i trajton më mirë se të gjitha vendet e tjera. Nuk ka raste kur ndaj tyre përdoret forca, siç ka ndodhur edhe në Bosnjë, Mal të Zi, Kroaci e vende të tjera, pra ata trajtohen dhe sa qëndrojnë këtu nuk e kanë asnjë problem”, thotë Shala.
Emigrantët apo azilkërkuesit pasi marrin një letërnjoftim, ata kanë të drejtë të qëndrojnë në Kosovë të lirë deri në një vendim ligjor për statusin e tyre.
Ata, gjatë kësaj kohe, mund të lëvizin të lirë në gjithë Kosovën nga ora 7 në mëngjes deri në orën 22 të mbrëmjes.
Sipas statistikave, në vitin 2018 në Kosovë azil kanë kërkuar 600 persona. Në vitin 2019, 2.100 persona, dhe tash në vitin 2020 [vetëm në muajin janar] më shumë se 300 persona.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëZbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë
Raste të shumta për fajde dhe detyrim, Policia shpeshton aksionet
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A