LAJMI I FUNDIT:

Rritet niveli i kredive të këqija në Shqipëri

Rritet niveli i kredive të këqija në Shqipëri

Ashtu siç ishte paralajmëruar, kreditë me probleme janë rritur lehtë gjatë muajit janar.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kreditë e këqija arritën në 8.2 për qind, një nivel pranë minimumeve historike të dekadës së fundit.

Me gjithë rritjen e lehtë, sërish norma e huave me problem stoku i të cilave ka arritur në 49 miliardë lekë [40 milionë euro] paraqitet e qëndrueshme.

Kjo për shkak të moratoriumit që ndërmori Banka Qendrore për shtyrjen e kësteve të kredive për një periudhë 6-mujore për qytetarët dhe bizneset më të prekura nga kriza, ku përfituan rreth 25 mijë huamarrës teksa vlera e kredive të ristrukturuara arriti në 2 miliardë euro.

Po ashtu, pak kohë më parë Banka e Shqipërisë vendosi të shtyjë sërish deri më 31 mars edhe masat lehtësuese për sistemin bankar duke iu dhënë më shumë kohë kredimarrësve debitorë për shlyerjen e huave.

Por, me mbarimin e efekteve të këtyre masave rregullatore lehtësuese të marra në kuadër të zbutjes së pasojave të pandemisë, banka qendrore pret që norma e kredive të këqija të pësojë sërish rritje në vijim.

Edhe pse aktiviteti ekonomik ka shfaqur tendenca rikuperimi në muajt e parë të vitit, rreziqet e pandemisë COVID-19 janë ende prezente dhe vijojnë të ushtrojnë presion në buxhetet e qytetarëve dhe duke krijuar vështirësi te bizneset, çka mund të ndikojë në aftësinë paguese të tyre. /TCH/