Rrezikuan jetën duke u futur në lumin Osum, Policia e Shtetit i shoqëron në Polici

Policia e Shtetit i ka shoqëruar në polici tre persona pasi kanë rrezikuar jetën duke u futur në lumin Osum.
Policia njofton për rrezikun, duke pas parasysh zonat e përmbytura dhe prurjet e mëdha në lumenj.
Lexoni të plotë njoftimin e Policisë, pa ndërhyrje:
Policia e Shtetit në gatishmëri të plotë për shkak të motit të keq.
Apel për kujdes për të gjithë përdoruesit e rrugës
Ndalim i menjëhershëm i atyre të rinjve që rrezikojnë jetën duke ushtruar aktivitete rafting në kushte ekstreme.
Shoqërohen në Komisariatin e Policisë Berat 3 shtetas që janë futur në lumin Osum duke rrezikuar jetën.
Policia e Shtetit, në të gjithë vendin, ka shtuar prezencën e saj, me qëllim ardhjen në ndihmë të banorëve në nevojë, në zonat e përfshira nga përmbytjet, të përdoruesve të rrugës, si dhe për të parandaluar aksidentet rrugore.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar shërbimet policore të ndalojnë menjëherë ata shtetas që, në këto kushte ekstreme, ku lumenjtë kanë prurje të mëdha, ushtrojnë aktivitete rafting, si dhe të sekuestrojnë mjetet e lundrimit.
Gjithashtu, Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të zbatojnë udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore, pasi, si pasojë e motit të keq me reshje shiu, në disa akse rrugore ka prezencë uji apo edhe rënie inertesh.
Strukturat e Policisë janë në terren për të ndihmuar dhe për të parandaluar ngjarjet rrugore dhe po bashkëpunojnë me firmat kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve, me qëllim pastrimin në kohë të segmenteve ku, si pasojë e reshjeve, ka pasur rënie inertesh në rrugë.
Telefononi 112 në rast nevoje në rrugë. /Telegrafi/



















































