Më shumë se gjysma e ndërmarrjeve publike lokale shënuan humbje vitin e kaluar, ndërsa një e treta e tyre kanë llogari bankare të bllokuara, sipas një studimi nga Qendra për Komunikime Qytetare.

Humbjet totale të ndërmarrjeve publike komunale arrijnë në 17.4 milionë euro dhe janë rritur me 56% krahasuar me vitin 2023.
Në tre vendet e para me humbjet më të mëdha në vend janë tre ndërmarrje publike të Shkupit - "Ujësjellësi dhe Kanalizimet", "Rrugët dhe rrugicat" dhe "Higjiena Komunale". Vetëm Ujësjellësi i Shkupit ka humbje prej 4.2 milionë euro.


Në vendin e katërt dhe të pestë janë dy ndërmarrje të Manastirit, Ujësjellësi dhe "Komunalec". Një ndërmarrje tjetër e Shkupit, "Parqe dhe gjelbërime", vjen pas, dhe më pas ndërmarrjet komunale nga Koçani, Velesi, Ohri dhe Prilepi.

Megjithatë, në vitin 2024, disa ndërmarrje shënuan fitim. Fitimi i tyre total arrin në rreth 5.4 milionë euro, që është 24% më shumë se në vitin 2023.

Sipas hulumtimit, 126 nga 128 ndërmarrje publike lokale kanë borxhe që arrijnë në total 193.2 milionë euro. Dhe këtu në vendin e parë është NP Ujësjellës dhe Kanalizime e Shkupit, e cila ka borxh 53.3 milionë euro. Pas saj vjen ndërmarrja e transportit publik Shkup, e cila ka borxhe prej gati 17 milionë eurosh. Me borxhe prej gati 10 milionë eurosh secila janë "Ujësjellësi" i Kumanovës dhe "Komunaleci" i Gostivarit.

Një e treta e ndërmarrjeve publike lokale kanë llogari bankare të bllokuar, pra 41 ndërmarrje.

Në të gjitha këto 128 ndërmarrje në nivel lokal, ka 12,009 punonjës të përhershëm. Tre ndërmarrjet lokale të Shkupit - Higjiena Komunale, Ndërmarrja e Transportit Publik dhe Ujësjellës dhe Kanalizime - kanë më shumë punonjës, me më shumë se një mijë secila. Nga qytetet e tjera, ndërmarrja me më shumë punonjës është Isar në Shtip.