Rreth 20% e pronave në Kosovë pa regjistrim ligjor – AKKVP nis procesin e formalizimit të tyre

Mijëra qytetarë në Kosovë ende jetojnë në prona që nuk janë të regjistruara ligjërisht. Shumë prej këtyre rasteve rrjedhin nga marrëveshje të bëra para luftës, shpesh pa dokumentacion të plotë apo regjistrim në institucionet përkatëse.
Sot, përmes një procesi të ri të formalizimit të pronës që udhëhiqet nga Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP), qytetarët kanë mundësi ta regjistrojnë pronën e tyre në mënyrë të drejtë dhe pa pagesë.
Në episodin e radhës të podcastit për të drejtat pronësore në Telegrafi me redaktoren Jehona Hulaj, Arianit Buçaj, ushtrues detyre i udhëheqësit të Divizionit për Komunikim me Publikun në AKKVP, tregon sesi funksionon ky proces, kush ka të drejtë të përfitojë dhe pse formalizimi i pronës është thelbësor për sigurinë juridike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Buçaj theksoi se formalizimi i pronës nënkupton njohjen dhe regjistrimin zyrtar të së drejtës mbi pronën e paluajtshme në regjistrat shtetërorë.
Agjencia ka mandat të zgjeruar jo vetëm për të krahasuar dokumentet kadastrale origjinale dhe aktuale, por edhe për të njohur dhe formalizuar të drejtat pronësore të bartura në mënyrë joformale, veçanërisht ato të pamundësuara nga ligjet diskriminuese të kohës para luftës.
“Qytetarët që kanë bërë blerje, shitje apo trashëgimi të pronës pa dokumentacion të rregullt para marsit 1999, mund të parashtrojnë kërkesë për formalizim,” sqaroi Buçaj, duke shtuar se “edhe nëse ka pasur një zinxhir të shitblerjeve pas asaj date, nëse fillimi është para 1999, aplikimi është i mundshëm.”
Aplikimi mund të bëhet në mënyrë fizike në njërën nga pesë zyrat rajonale të agjencisë – në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjilan dhe Prizren – ose online përmes faqes zyrtare.
E gjithë procedura është falas dhe qytetarët udhëzohen të paraqesin çdo dokument ose dëshmi që kanë për pronën në fjalë.
“Është proces i thjeshtë, i qasshëm dhe mbi të gjitha falas, nga momenti i aplikimit deri në vendimmarrje,” theksoi Buçaj.
Për të aplikuar, qytetarët nuk kanë nevojë për dokumentacion të rregullt.
Buçaj bëri të ditur se mjafton çdo dëshmi që mund të provojë pronësinë apo bartjen e saj – deklarata dëshmitarësh, marrëveshje verbale apo kontrata të paverifikuara.
“Çfarëdo dokumente që kanë, edhe nëse janë marrëveshje të paformalizuara, mund t’i sjellin. Ne e vlerësojmë secilin rast sipas ligjit,” u shpreh ai.
Tutje gjatë këtij podcasti u diskutua edhe për procedurat e tjera të formalizimit të pronës. Duke folur në rastet kur ka kundërshtime çfarë ndodh me procesin, Buçaj tha se Agjencia nuk merr vendim në rastet kur paraqiten kundërshtime të bazuara nga palët e treta.
“Agjencia nuk merr vendim, por i udhëzon palët drejt institucioneve të drejtësisë për zgjidhje gjyqësore. Në mungesë kundërshtimesh, procedura vazhdon deri në vendimmarrjen finale”, sqaroi Buçaj.
Sipas tij përfitimet nga formalizimi i pronës janë të shumta duke përfshirë: siguri juridike, mbrojtje nga uzurpimi, lehtësi në trashëgimi dhe mundësi për zhvillim ekonomik përmes përdorimit të pronës si kolateral apo për subvencione.

“Bëhesh pronar i ligjshëm që mbrohesh me ligj dhe mund ta përdorësh pronën për zhvillim ekonomik,” potencoi ai, duke shtuar se shpesh tatimet u ngarkohen trashëgimtarëve për prona që janë shitur dekada më parë por figurojnë ende në emrin e të parëve.
Buçaj tha se ka një interesim në rritje nga qytetarët, duke theksuar se sipas disa vlerësimeve “rreth 20% e pronave në Kosovë janë ende të paformalizuara”.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos hezitojnë dhe të paraqesin kërkesën për formalizim të pronës.
“Ftoj të gjithë ata që kanë bërë transaksione joformale të paraqiten dhe të bëhen pronarë të ligjshëm. Është një mundësi për të garantuar të drejtat e tyre dhe për të shmangur problemet ligjore në të ardhmen”, u shpreh Buçaj. /Telegrafi/
Ky publikim është prodhuar nga Telegrafi në kuadër të projektit PIAKOS, zbatuar nga ATRC dhe financuar nga Banka Botërore – Fondi për Paqe dhe Shtet-Ndërtim. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e ATRC-së dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bankës Botërore, Fondit për Paqe dhe Shtet-Ndërtimin, apo Telegrafit.


















































