LAJMI I FUNDIT:

Rrënimi i një aneksi vë në sherr inspektorin komunal me pronarin (Video)

Rrënimi i një aneksi vë në sherr inspektorin komunal me pronarin (Video)

Që nga e enjtja, Inspeksioni Komunal i Prishtinës, së bashku me Policinë dhe kompaninë e autorizuar, kanë filluar rrënimin e një pjesë të aneks-ndërtimit ngjitur me shtëpinë e Isuf Musliut, në lagjen Vneshta.

Drejtoria e Inspeksionit, me një vendim të datës 23 maj 2016, kishte urdhëruar rrënimin e pllakës së aneksit dhe konstruksionit metalik, me arsyetimin se pronari ka vazhduar punimet në hyrjen e objektit ekzistues pa leje përkatëse, raporton KTV.

Vetë pronari, Isuf Musliu, e pranon se nuk ka leje për objektin e ndërtuar ngjitur me shtëpinë e vjetër, për të cilën thotë se është ndërtuar para 50 vjetësh.


Ai shton se kërkesën për leje ndërtimi e ka bërë në dhjetor të vitit 2005.

Musliu pohon se edhe gjatë qeverisjes së ish-kryetarit Isa Mustafa kishte bërë kërkesë për legalizim të objektit. Por, nuk kishe marrë përgjigje deri në vitin 2012, kur thotë se kishte ndërprerë punimet, pasi Komuna e kishte urdhëruar që të mos vazhdonte punimet pa leje.

Musliu thotë të mos ketë bërë asnjë punim që nga atëherë. E, për meremetimin e objektit, deklaron se në prill të këtij vitit i ka bërë kërkesë edhe kryetarit Shpend Ahmeti dhe Drejtorisë së Urbanizmit.

Por, këto janë mohuar nga Drejtorinë e Inspeksionit, të cilët kanë njoftuar se ata fillimisht e kanë paralajmëruar që t’i ndërpresë punimet, gjë që, sipas tyre, Musliu nuk e ka bërë dhe pas procedurave gati njëmujore ka filluar rrënimi.