Rodrygo me fjalë të mëdha për Alonson: Kërkon intensitet të lartë

Sulmuesi Real Madridit, Rodrygo Goes ka vlerësuar stilin e punës së trajnerit Xabi Alonso, duke theksuar “intensitetin” që ka sjellë në skuadër dhe qasjen e qartë taktike që tashmë po jep rezultat.
Braziliani beson se Alonso brenda një kohe të shkurtër e ka dëshmuar se pse po kryesojnë në La Liga.
“Edhe pse kemi pasur shumë pak kohë me të, ka mjaftuar për të parë intensitetin e tij, mënyrën si e përjeton futbollin çdo ditë në stërvitje. Ai është gjithmonë aktiv, merr pjesë dhe ndihmon shumë”.
“Besoj se fjala kyçe për të përshkruar Xabi Alonson dhe stilin e tij të lojës është pikërisht intensiteti: mbajtja e topit dhe sulmi gjithmonë me intensitet”.

Duke folur për vlerat personale, Rodrygo u shpreh: “Mendoj se vlera si përulësia, disiplina dhe respekti për shokët e skuadrës dhe kundërshtarët janë gjëra që i mësova shumë i ri dhe i ruaj ende sot. Jam 24 vjeç dhe i respektoj këto vlera, të cilat i përjetova që në seancën time të parë stërvitore, në ndeshjen e parë dhe ato janë të panegociueshme. Trajnerët dhe familja gjithmonë më kanë mësuar këtë”.
Pas zërave të merkatos që e lidhën me një largim, braziliani vendosi të qëndrojë në “Santiago Bernabeu” dhe tashmë po punon për të rikthyer një vend titullari nën qasjen e rreptë të Alonsos.
Real Madridi në mesjavë do të përballet me Marseille në kuadër të sfidës hapëse për këtë edicion të Ligës së Kampionëve./Telegrafi/



















































