LAJMI I FUNDIT:

(Ro)botët kundër Xhelalit

(Ro)botët kundër Xhelalit
-->

Titulli i sotëm është një fjali e thjesht politike. Një kryefjalë, një kallëzues edhe Xhelali. Veprimi bie mbi Xhelalin, do të thoshte një gjuhëtar, por një politikan do të mendonte para se të përgjigjej. Të jesh kundër nuk është veprim. Pra, nëse nuk ka dilema gramatikore, ka dilema politike se mbi kë bie veprimi.

Kështu, robotët në shekullin e kaluar janë menduar për të zëvendësuar njerëzit që lodhen, që mendojnë dhe që kanë edhe zemër. Problemi është sikurse me ushtarët. Si të mendojë, nuk është ushtar. Ushtari dhe roboti veprojnë me komandë, pa e pasur të “lejuar” pyetjen “pse”. Veprojnë pa debat. Kështu edhe (ro)bot-ët.

Kush është Xhelali e dinë qytetarët e Kosovës, ndërkohë që për (ro)bot-ët qytetarët dinë pak. Nuk janë emra të njohur. Janë kryesisht të rinj dhe të paidentifikueshëm (ro)bot-ët. Kur në mes tyre ndeshim ndonjë emër që ka kuptim politik, atëherë edhe fushata bëhet e identifikueshme; i nxjerr autorët në shesh dhe si e tillë e humb efektin mbi qytetarët. Pra, (ro)bot-ët nuk kanë emër politik.

Duhet sqaruar qysh në fillim se nuk është fjala për robotët që janë produkte të teknologjisë së lartë. Mund të thuhet edhe se janë robotë socialë të cilët veprojnë në rrjete sociale dhe në media, të nxitur dhe të instruktuar nën një komandë. Ata janë pa ndërgjegje qytetare dhe pa etikë, apo të pandërgjegjshëm për pasojat e veprimeve të veta; ata veç i kryejnë detyrat për të cilat janë trajnuar dhe paguhen. Tekstin dhe orientimet i marrin të gatshme, sikurse edhe pagesën për shërbimet e tyre.

Por, kjo ndodhë veç në Serbi, jo te ne, dhe janë më tepër pohime të opozitës serbe.

Sidoqoftë, këta tanët, pra (ro)bot-ët, janë pa këto ditë krejtësisht hapur, duke shëtitur nëpër profilet e “armiqve” publikë të anatemuar nga (pu)shteti ynë demokratik e patriotik.

Kush janë “bot”-ët? Kjo shprehje po përdoret shumë, sidomos në mediat në Serbi, për të identifikuar me këtë emër një numër të madh të aktivistëve, kryesisht të rinj të partive politike, të trajnuar për të udhëhequr fushata ndaj personaliteteve dhe organizatave, apo edhe institucioneve të caktuara – sipas porosisë së shefit.

Tash, në Serbi, shefi i madh është presidenti Vuçiq dhe ai akuzohet se e ka në dispozicion një rrjet të tillë prej qindra aktivistësh, të cilët kujdestarojnë nëpër rrjetet sociale dhe në media me komentet e tyre, të cilat për shkak të anonimitetit, do të duhej të krijojnë bindjen se ato paraqesin mendimin popullor.

Po ashtu (ro)bot-ët e krijojnë edhe efektin e rremë të interesimit publik për dikë apo për diçka, duke pëlqyer prej dhjetëra profileve të cilat i kanë hapur në rrjetet sociale. Për të qenë më bindës, me një profil e shanë dikë, me tjetrin gjoja e mbron.

Duke qenë se janë shumë dhe marrin instruksionet nga një qendër dhe secili përdor shumë profile të rrejshme, atëherë fuqia dhe ndikimi i tyre në krijimin e opinionit marrin përmasa frikësuese – sidomos në rrethana kur shteti ligjor nuk funksionon dhe mediat janë të kontrolluara.

Kur këto njësite virtuale kombinohen me debatet e porositura në mediat e kontrolluara (poseduara), atëherë ata marrin fuqi të jashtëzakonshme dhe shndërrohen në instrument të qeverisjes autoritare (jo)formale – krejt kjo nën tingujt e himnit të lirisë.

Për dallim nga shqiponjat e bardha serbe, këto shqiponjat tona të zeza, pa pritë e pa kujtuar, gjuhen në profil të personaliteteve që janë cak, ku shajnë, përqeshin, përbuzin, shpifin nën mburojën e anonimitetit, krejt në funksion të diskreditimit dhe rrënimit publik të tyre. Ata bëjnë krejt çka një zyrtar i lartë, apo person publik, nuk mund ta bëjë.

Por, Xhelali nuk u kap për gardhi. Thënia e vjetër se “duhet të mbahesh për gardhi, kur dy veta të thonë se je i dehur”, në kohën e sotme mund të riformulohet: kur “bot”-ët të sulmojnë, ti duhet të mbahesh për gardhi, qoftë edhe nëse nuk e ke pi asnjë pikë raki.

Xhelali sot ishte vetëm kundrinë. Mos të merremi me Xhelalin. Ishte kundrinë politike, sepse agresiviteti dhe arroganca e (ro)botëve ra mbi të me krejt vrullin e dëshpërimit paszgjedhor dhe shqetësimit të opozitës së ardhshme përpara marrëveshjes së pritur për qeverinë e re.

Të jesh kundër takimit të Xhelalit me Gjuriqin nuk përbën shkelje ligji. Nuk përbën shkelje ligji as nëse thua se kjo nuk përputhet me parimet e shprehura më herët të lëvizjes Vetëvendosje. Nuk përbën shkelje ligji as nëse i thuhet “edhe ti qenke sikur ne, veçse ti je më i keq, sepse na shaje derisa po takoheshim me Gjuriqin”. Është apo nuk është?

Është subjektive. Është politike. Ajo që është e sigurt është se armata e (ro)botëve, të cilët kanë qenë aktivë tash një kohë të gjatë në Kosovë, të krijuar dhe urdhëruar nga (pu)shteti (jo)formal, më nuk po veprojnë si njësite speciale, të infiltruara tek kundërshtarët. Tash po rigrupohen në formën e opozitës.

Zyrat për media dhe zëdhënësit kanë qenë krejtësisht pasivë këto vite, ndërkohë që gladiatorët modernë kanë dhënë shpirt nëpër arenat bashkëkohore të debatit, ku gazetarët milionerë kanë ideuar, formësuar dhe drejtuar fushatat e (ro)bot-ëve. Përse me shku paratë jashtë për fushata. Edhe ne (ro)botë për gara kemi.