Robertson rikthen mallkimin e Gerrardit? Gazetari i Sky Sport tregon se si reagoi Klopp në ato momente

Tani që ndeshja mes Liverpoolit dhe Chelseat përfundoi në të mirë të Reds me rezultat 2-0, tifozët dhe mediat kanë filluar të merren me prapaskenat.
Sa herë që Reds dhe Blutë përballen gjithmonë mendja e tifozëve shkon edhe te momenti kur Steven Gerrard rrëshqiti dhe Demba Ba shënoi gol dhe kështu Liverpooli humbi titullin e vitit 2014.
Për një moment e gjitha kjo skenë u rikthye në memorien e tifozëve, teksa ndeshja ishte duke u luajtur mbrojtësi i skuadrës vendase Andrew Robertson rrëshqiti.
Gazetari i Sky Sport, Geoff Shreeves, i cili ishte i ulur në mesin e dy bankave rezervë zbuloi pas ndeshjes se trajneri Jurgen Klopp në ato momente u kthye me shpinë nga fusha dhe dha një buzëqeshje, që mund të jetë një tregues se edhe atij iu ka kujtuar momenti i Gerardit.
Në rrjetet sociale menjëherë tifozët filluan të krijojnë një lidhje mes këtyre do momenteve, ku disa prej tyre kishin frikën se historia do të përsëritet dhe LFC do e humbas titullin.

Gjithsesi në fund Liverpooli e fitoi këtë ndeshje ndaj Chelseat me rezultat 2-0, për skuadrën e Klopp shënuan Sadio Mane (51') dhe Mohamed Salah (53'). /Telegrafi/






















































