LAJMI I FUNDIT:

Rizvanolli: Kthimi i bllokut “B2” dhe përmirësimi i reshjeve në Shqipëri mund ta nxjerrin Kosovën nga kriza energjetike

Rizvanolli: Kthimi i bllokut “B2” dhe përmirësimi i reshjeve në Shqipëri mund ta nxjerrin Kosovën nga kriza energjetike

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli thotë se Kosova është e fundit në Evropë që po përballet me krizë energjetike derisa vendet tjera krizën e kanë prej muajsh.

Rizvanolli në RTV Dukagjini ka thënë se në tetë ditët e fundit situata energjetike në Kosovë është përkeqësuar jashtë mase.

“Prej disa ditëve jemi duke marrë vërejtje nga organizata e Transmisioneve të Evropës për shkak të disbalancës mes kërkesës dhe ofertës. Ne kemi rrezikuar jo vetëm sistemin tonë energjetik por edhe atë të Shqipërisë dhe Evropës. Për shkak të këtij kodi të operimit KOSTT ka kërkuar të bëhen reduktime”.


Rizvanolli thotë se plani është që të ketë reduktime 8 orë me rrymë e dy pa të.

“Kemi kërkuar nga KEDS-i që të lajmërojnë më herët qytetarët në mënyrë që të bëhen planifikimet me kohë”, tha ajo, përcjell Telegrafi.

Ministrja e Ekonomisë duke folur për subvencionimin prej 20 milionë euro për KEDS-in ajo thotë se këtë gjë e kanë bërë edhe vendet tjera.

Ajo thotë se blloqet e KEK-ut bien edhe gjatë verës por atëherë nevoja për konsum është më e vogël dhe ajo nuk vërehet.

Rizvanolli thotë se gjendja nuk është e lehtë dhe kriza nuk do të kalojë së shpejti.

Ajo thotë se kthimi i bllokut “B2” dhe situata e reshjeve në Shqipëri mund ta nxjerrin Kosovën nga kriza.

“Mund të shpresojmë te përmirësimi i gjendjes atmosferike në Shqipëri në mënyrë që kur ata të plotësojnë nevojat e tyre të na huazojnë energjinë në formë të këmbimit e jo me tarifa të tregut, në mënyrë që ne mund t’ua kthejmë në një kohë kur kemi prodhim më shumë”, deklaroi Rizvanolli./Telegrafi/