LAJMI I FUNDIT:

Rizgjedhja e Vuçiqit bllokon më tej dialogun

Rizgjedhja e Vuçiqit bllokon më tej dialogun

Rizgjedhja e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk pritet të sjellë asgjë pozitive në marrëdhëniet e këtij shteti me Kosovën e, rrjedhimisht, as në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, tha të hënën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Komentet e saj pasojnë një ditë pas zgjedhjeve presidenciale në Serbi, të cilat, sipas rezultateve paraprake, nxorën fitues Vuçiqin, me gati 60 për qind të votave.

Duke folur para gazetarëve në Prishtinë, Osmani tha se Serbia vazhdon të udhëhiqet nga një mentalitet i viteve ‘90.

“Pritjet tona janë shumë të mëdha nga Bashkimi Evropian dhe, natyrisht, institucionet e Kosovës do të kontribuojnë në këtë drejtim, por nuk mund të them që kemi pritje optimiste sa u përket sjelljeve të Serbisë. Ky [dialogu] është proces, në të cilin ne duhet të angazhohemi vazhdimisht dhe ta japim më të mirën tonë, sepse duhet të përqendrohet në njohje reciproke. Ky është interes i Republikës së Kosovës”, tha Osmani.

Vuçiq është bartës i negociatave të Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të cilat zhvillohen qysh në vitin 2011.

Bartës i negociatave nga Kosova është kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar vetëm dy herë – për herë të fundit në korrik të vitit të kaluar – në kuadër të procesit që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Takimet e tyre nuk kanë sjellë asnjë përparim në negociata, pos pajtimit për t’i vazhduar ato.

Maliqi: Bllokada i konvenon edhe Vuçiqit, edhe Kurtit

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Agon Maliqi, thotë se rizgjedhja e Vuçiqit do ta bllokojë edhe më tej dialogun. Sipas tij, bllokada është interes edhe i Kurtit.

“Unë nuk shoh ndonjë perspektivë që kjo të ndryshojë. Me vullnetin e Vuçiqit dhe Kurtit nuk do të ketë përparim. Nuk shohin nevojë dhe urgjencë për përmbylljen e kontestit”, thotë Maliqi.

Mospajtimet më të mëdha midis Kurtit dhe Vuçiqit lidhen me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Edhe pse palët kanë arritur një marrëveshje për të në Bruksel në vitin 2013, Kurti insiston se në Kosovë nuk mund të ketë “asociacion njëetnik”.

Vuçiq, në anën tjetër, thotë se bisedimet nuk mund të vazhdojnë pa themelimin e Asociacionit.

Maliqi thotë se të dy liderëve u konvenon status quo-ja, pasi, sipas tij, kjo “është në interesin e politikës së tyre të brendshme”.

Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur kërkesës për të komentuar rizgjedhjen e Vuçiqit e as pyetjes se si do të jetë procesi i dialogut ndërmjet dy shteteve, kur kryenegociator i Serbisë do të jetë sërish Vuçiq.

Janjiq: Dialogu duhet të marrë drejtim të ri

Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë se nuk pret ndryshime të mëdha në qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës, pas zgjedhjeve të 3 prillit në Serbi.

Ai thotë se marrëveshja e Brukselit “mund të shkatërrohet”.

Janjiq shton se Vuçiq ka një politikë “populiste”, të ngjashme, sipas tij, me atë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Më lejoni t’ju kujtoj barrikadat, policinë speciale [të Kosovës] dhe përgjigjen e Serbisë me ushtri, me polici, me ambasadorin rus që i kontrollon të gjitha këto…”, thotë Janjiq.

Me këtë, ai i referohet periudhës në fund të shtatorit të vitit të kaluar, kur Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Kurti, ka vendosur masa reciproke ndaj Serbisë për targat e automjeteve, duke u kërkuar shoferëve nga Serbia, që kur të futen në Kosovë, të vendosin targa të përkohshme me simbolet e Kosovës.

Për rrjedhojë, disa serbë në veri të Kosovës kanë bllokuar për dy javë rrugët në vendkalimet kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak.

Në ato dy vendkalime, gjatë gjithë kohës kanë qenë të pranishëm pjesëtarë të Policisë Speciale të Kosovës për t’i mbrojtur ato, por edhe avionët ushtarakë serbë kanë fluturuar disa herë afër pikës kufitare në Jarinjë.

Beogradi zyrtar, po ashtu, i ka vënë në gjendje gatishmërie disa njësite ushtarake.

Dy palët, më pas, kanë arritur një marrëveshje të përkohshme për targat, por Janjiq thotë se beson që tensionet nga ajo periudhë nuk janë zbutur.

Ai thotë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve duhet të marrë një drejtim të ri dhe shton se largimi i paralajmëruar i serbëve nga institucionet e Kosovës do të thotë “shkatërrim i marrëveshjes së Brukselit”.

Rreth dhjetë ditë para zgjedhjeve në Serbi, Vuçiq është takuar me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova. Atëbotë, ai ka thënë se ata i kanë kërkuar leje për t’u larguar nga institucionet e Kosovës.

“Kur serbët largohen nga institucionet, bie marrëveshja e Brukselit. Politika nuk ndryshon brenda natës. Politika e territorializimit të pushtetit, që ndjek Vuçiq, nënkupton rihapjen e çështjes së mosintegrimit të komunitetit serb dhe të veriut të Kosovës [të banuar me shumicë serbe] – e kjo është çështja e kufijve”, thotë Janjiq.

Në të kaluarën ka pasur disa diskutime për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, si mundësi për normalizimin e marrëdhënieve.

Por, ideja është kundërshtuar edhe nga qarqe të caktuara në Prishtinë e Beograd, edhe në bashkësinë ndërkombëtare.

“Zgjedhjet serbe s’do të mbahen më kurrë në Kosovë”

Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të fundit të Serbisë në territorin e saj, duke thënë se një gjë e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Më 3 prill, Serbia ka mbajtur zgjedhjet presidenciale, zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale për Beogradin dhe disa komuna të tjera.

Pjesëtarët e komunitetit serb nga Kosova kanë mundur të votojnë në zgjedhje në njërin nga qytetet kufitare në Serbi.

Janjiq thotë se zgjedhjet e Serbisë nuk do të mbahen më kurrë në territorin e Kosovës dhe se ka “argumente” se shtetet e Quint-it – Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia dhe Franca – “e kanë mbështetur në heshtje” vendimin e Qeverisë së Kosovës.

“Është heshtur ai dakordimi [i dy palëve] se nuk do të ketë më zgjedhje. Në aspektin e statusit, [kjo] do të thotë se Kurti e ka kompletuar sovranitetin e Kosovës me një politikë të reciprocitetit, që është një politikë shumë e rrezikshme”, thotë Janjiq, pa elaboruar më shumë.

Shtetet e Quint-it, megjithatë, e kanë kritikuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar zgjedhjet serbe.

Në horizont, tash për tash, nuk ka asnjë takim të ri Kurti-Vuçiq.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë në një intervistë për REL-in, në muajin mars, se për takimin e tretë ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë duhet atmosferë konstruktive dhe paqësore.

Sipas tij, një takim Kurti-Vuçiq mund të ndodhë vetëm kur dy liderët të mund të pajtohen për diçka./REL/

Në trend Lajme

Më shumë
PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

Lajme
Pamje nga të shtënat ku nisi konflikti në Prishtinë, ku humbën jetën dy persona

Pamje nga të shtënat ku nisi konflikti në Prishtinë, ku humbën jetën dy persona

Kronika e Zezë
Një derë e re për drejtësi: Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Një derë e re për drejtësi: Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Drejtësi
Gjendet në një humnerë personi i raportuar si i zhdukur në Prevallë

Gjendet në një humnerë personi i raportuar si i zhdukur në Prevallë

Kronika e Zezë
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Juristat e UP-së të tretët në botë në garën ndërkombëtare për drejtësi

Juristat e UP-së të tretët në botë në garën ndërkombëtare për drejtësi

Arsim
Kalo në kategori