Riquelme: Nëse PSG nuk e fiton Ligën e Kampionëve me Messin në skuadër, nuk do ta fitojnë kurrë

Juan Roman Riquelme, një nga futbollistët më të mirë të Argjentinës, ku kishte bërë karrierë me klube si Boca Juniors, Barcelona dhe Villarreal, beson se Paris Saint-Germain ka një shans të madh për të fituar Ligën e Kampionëve pasi tani kanë Lionel Messin në radhët e tyre.
PSG janë favorit për të fituar trofeun më të çmuar të Evropës, pavarësisht se nuk e kanë bërë kurrë në historinë e tyre, dhe Riquelme është i besimit se nëse ata nuk arrijnë ta fitojnë me Messin në ekipin e tyre, ata kurrë nuk do ta fitojnë këtë garë.
"Nëse PSG nuk e fiton Ligën e Kampionëve tani me Messin, ata kurrë nuk do ta fitojnë".
"Messi është më i miri sepse i pëlqen të luajë me top", ka thënë Riquelme gjatë një interviste për ESPN.
Riquelme beson se Messi do ta udhëheqë PSG -në drejt famës në Ligën e Kampionëve, por beson që argjentinasi do të kthehet te Barcelona.
"Unë mendoj se Messi do të fitojë Ligën e Kampionëve me PSG dhe do të pensionohet në Barcelonë", deklaroi Riquelme.
Messi tani 34 vjeç, nënshkroi një kontratë dyvjeçare me PSG këtë verë, kështu që ai do të jetë lojtar i lirë edhe një herë në moshën 36 vjeç në verën e vitit 2023. /Telegrafi/





































