Rinia gjilanase mes potencialit të madh dhe mungesës së mundësive

Rinia e Gjilanit, përmes angazhimit të saj në fusha të ndryshme të jetës, po përmbush një pjesë të rëndësishme të shoqërisë lokale.
Megjithatë, përkundër dëshirës për të forcuar zërin e tyre si faktor i rëndësishëm në zhvillimin e qytetit, të rinjtë po përballen me një sërë sfidash që po ua pamundësojnë këtë mision.
Në një prononcim për Telegrafin, organizata “Fuqia e Bashkimit Rinor” thekson se të rinjtë gjilanas po jetojnë në një realitet kompleks, ku sfidat nuk janë vetëm ekonomike, por përfshijnë edhe dimensionin shoqëror, emocional dhe psikologjik.
Sipas kësaj organizate, papunësia dhe mungesa e mundësive mbeten ndër problemet më të mëdha, çka për pasojë sjell ndjesinë e pasigurisë dhe të paorientimit për të ardhmen.
“Gjilani ka hapësira të kufizuara ku të rinjtë mund ta shprehin kreativitetin e tyre. Në një mjedis ku hapësirat për shprehje kreative, përfaqësim qytetar dhe zhvillim të talenteve janë ende të kufizuara, shumë të rinj ndihen të padukshëm dhe të pavlerësuar”, thuhet në përgjigjen e organizatës.
Sipas organizatës, të rinjtë nuk kërkojnë vetëm zgjidhje për të tashmen, por kërkojnë të jenë pjesë aktive e krijimit të një të ardhmeje më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.
Edhe pse rinia e Gjilanit është e pasur me ide, potencial dhe vullnet, organizata thekson se ajo mbetet e pazëshme në hapësirën publike, kryesisht për shkak të mungesës së mbështetjes institucionale.
“Ka shumë individë të jashtëzakonshëm që kontribuojnë në komunitet, por për shkak të mungesës së përkrahjes, shumica e të rinjve mbeten në heshtje ose në pritje të një mundësie që ndoshta nuk vjen kurrë. Kur u jepet hapësira, ata veprojnë me guxim, kreativitet dhe përgjegjësi”, thuhet më tej.
Organizata kërkon që përkrahja ndaj të rinjve që synojnë karrierë në fusha të ndryshme të jetë më e qëllimshme, strategjike dhe e qëndrueshme. Sipas saj, kjo përfshin investime në infrastrukturë, më shumë hapësira për krijimtari, qendra trajnimi, ambiente sportive dhe laboratorë teknologjikë.
Një tjetër propozim është krijimi i platforma ku ata mund të prezantojnë punën e tyre, krijimi granteve për projekte kreative dhe sipërmarrëse, si dhe politika që nxisin pjesëmarrjen e të rinjve në gara, festivale dhe ngjarje ndërkombëtare.
Në thirrjen e saj drejtuar të rinjve, organizata nënvizon rëndësinë e besimit në vetvete dhe në fuqinë që ata mbajnë.
“Çdo ide që mbani në zemër, çdo pasion që ushqeni në shpirt, çdo hap që guxoni ta hidhni ka rëndësi. Në një botë që shpesh i vendos të rinjtë në pritje, ne ju themi: mos prisni. Veproni. Jeni më të fuqishëm se sa mendoni”, theksohet në përgjigje.
Organizata “Fuqia e Bashkimit Rinor” bën thirrje për vetëdijesim, duke e përshkruar rininë si pasqyrë të së tashmes, zë të saj dhe shpresë për një të nesërme më të drejtë.
“Ai zë ka peshë. Ai ka vlerë. Nevoja për ju është më e madhe se kurrë më parë, nevoja për ide të freskëta, për guxim qytetar, për përkushtim njerëzor”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Në përmbyllje, organizata nënvizon se kur të rinjtë bashkohen rreth një qëllimi të përbashkët, asgjë nuk është e paarritshme. Me moton “Fuqishëm, hiç ndryshe”, organizata u bën thirrje të rinjve që të mos ndihen të vetëm në përpjekjet e tyre për të sjellë ndryshim.
“Ne besojmë se fuqia jonë vjen nga bashkimi, nga përfshirja, nga zëri kolektiv që ngrihet për të sjellë ndryshim. Dhe për këtë arsye, të ftojmë me zemër: nëse ke një ide, një pasion, një ëndërr – ejani dhe bëhuni pjesë e jonë. Le ta bëjmë bashkë. Ne jemi këtu. Ne jemi për ju. Ejani fuqishëm, sepse ne nuk dijmë ndryshe”, thuhet tutje në përgjigjen e organizatës. /Telegrafi/

















































