Anëtarë të Rinisë Demokratike të Kosovës (RDK) kanë zhvilluar sonte një aksion simbolik protestues para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në shenjë pakënaqësie ndaj mungesës së energjisë elektrike dhe paralajmërimit për rritje të re të çmimit të saj.

Gjatë aksionit, ata kanë vendosur një batanije dhe disa qirinj para Qeverisë, duke e cilësuar këtë veprim si reagim ndaj deklaratave që i konsiderojnë provokuese dhe të papërgjegjshme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili ka fajësuar qytetarët për krizën energjetike, duke thënë se “po ngrohen më shumë sesa duhet”.


Në deklaratën për media, sekretari i RDK-së, Altin Gjata, tha se aksioni nuk ka të bëjë me statistika apo propagandë, por me realitetin e përditshëm të qytetarëve të Kosovës.

Ai theksoi se kriza energjetike dhe faturat gjithnjë e më të papërballueshme po i detyrojnë shumë familje kosovare të zgjedhin mes ngrohjes dhe ushqimit, ndërsa studentët, sipas tij, po detyrohen të mësojnë në errësirë. Gjata ngriti edhe pyetjen që, sipas tij, po e shtrojnë qytetarët: “Edhe sa do të rritet çmimi i energjisë elektrike?”

Gjata kritikoi ashpër Qeverinë për, siç tha ai, bllokimin e qindra milionë eurove investime në energji të pastër dhe për dështimin në sigurimin e prodhimit vendor të mjaftueshëm, duke e quajtur situatën aktuale jo krizë dimri, por krizë menaxhimi dhe papërgjegjësie.

Sipas tij, pavarësisht premtimeve për modernizim historik të KEK-ut, sot prodhimi është më i ulët, importet janë rritur dhe përfitimet po shkojnë te të preferuarit e pushtetit.

“Faturën e kësaj krize po e paguajnë familjet tona dhe çdo qytetar i Kosovës”, u shpreh Gjata, duke shtuar se batanija dhe qirinjtë janë një “dhuratë” simbolike për kryeministrin në detyrë, i cili, sipas tij, nuk e ndien barrën e faturave mujore dhe të ngrohjes së familjes.

“Edhe sa, Albin? Edhe sa përqind do të rritet rryma?”, ishte mesazhi përmbyllës i aksionit simbolik./Telegrafi/