Pas një pauze të gjatë, shkaku i angazhimeve të përfaqësueses së Maqedonisë në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror dhe më pas nga raundi i parë i zgjedhjeve lokale, futbolli vendor rikthehet, nga sot me duelet e javës së dhjetë në Ligën e Parë, njofton Telegrafi.

Java do të nisë me dy ndeshje të premten, ku më interesant pritet të jetë derbi shqiptar në Kumanovë. Ekipi i Bashkimit, që këtë sezon po tregon formë solide, do të jetë nikoqir i Shkupit. Dy skuadra me objektiva të ndryshme – Bashkimi ndodhet në pozitën e pestë me 15 pikë, ndërsa Shkupi, ndonëse një emër i madh në futbollin vendor, këtë edicion po kalon periudhë të vështirë dhe gjendet në fund të tabelës me vetëm një pikë të fituar.

Dueli tjetër i ditës do të luhet në Kavadar, ku Tikveshi pret Arsimin. Të dy ekipet kanë pikë të barabarta në renditje dhe synojnë të marrin maksimumin për të larguar presionin e zonës së ftohtë. Të dy ndeshjet do të fillojnë në orën 14:30.

Të shtunën do të zhvillohen dy takime të tjera: Rabotniçki do të përballet me Makedonija Gj.P, ndërsa Struga Trim Lum, që aktualisht kryeson tabelën, do të jetë nikoqire e Brerës nga Strumica.

Të dielën pritet një duel interesant mes Sileksit dhe Pelisterit, ndërsa java e dhjetë do të mbyllet të hënën me superderbin e madh mes Shkëndijës dhe Vardarit, përballje që gjithmonë sjell emocione dhe rivalitet të lartë.

Shkaku i ndryshimit të orës nga ajo verore në dimërore, ndeshjet Sileksi – Pelisteri dhe Shkëndija – Vardari do të fillojnë në orën 13:30. /Telegrafi/

telegrafi sport app