Riefenstahl vërteton se subjektet më të mira për dokumentarë janë përbindëshat

Nga: Xan Brooks, kritik filmi / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com
“Nuk dua të flas për këtë”, thoshte shpesh Leni Riefenstahl kur e pyesnin për të kaluarën e saj. Regjisorja gjermane ishte e gatshme të fliste për teknikat e saj novatore kinematografike, për kredencialet e saj që kanë lënë gjurmë dhe për punën e saj të mëvonshme të shpengimit me popullin nuba të Sudanit. Por, ishte një temë bezdisëse të cilën ajo preferonte ta shmangte: rolin e saj si propagandistja kryesore e nazizmit. Riefenstahl e mbijetoi Rajhut të Tretë për afro 60 vjet, duke vdekur në vitin 2003 në moshën 101-vjeçare. Janë gjashtë dekada shmangieje, shtrembërimi dhe mohimi. “Nuk dua të flas për këtë”, u bë thuajse fjalia e saj e zakonshme.
Nëse ju entuziazmon pamja e një kafshe të zënë në kurth apo një krimineli të ndjekur deri në fund, atëherë do të kënaqeni me dokumentarin Rifënshtal [Riefenstahl], prodhimi i ri i Andres Veielit mbi artisten e parë të anuluar nga publiku. Është një portret gjithëpërfshirës dhe ndoshta përfundimtar, që eksploron arkivin personal të Riefenstahlit, plotëson boshllëqet dhe paraqet subjektin e vet ashtu siç ishte – me të mirat dhe të këqijat. Veiel nuk ka aspak synim të bëjë një sulm personal. Ai e pranon instinktin artistik dhe mjeshtërinë teknike të Riefenstahlit dhe tregon se si Olimbia [Olympia] – filmi i saj i vitit 1938 për Lojërat Olimpike të Berlinit – e çoi përpara artin kinematografik me hapa të mëdhenj. Por, gjithashtu, ai shemb mbrojtjen e regjisores së madhe. Riefenstahl këmbëngulte vazhdimisht se ishte thjesht një artiste, jo politikane, se filmat e saj ishin të pastër dhe paqedashës dhe se nuk kishte ndonjë interes të veçantë për nazizmin. E vetmja gjë për të cilën ishte fajtore ishte pafajësia e saj e plotë dhe e thellë.
Dëshmitë, siç pritej, tregojnë një histori tjetër. Historia dëshmon se Riefenstahl ishte e mahnitur nga Hitleri dhe e lumtur që punonte si krijuesja zyrtare e miteve të Rajhut. Për më tepër, ndonëse ajo pretendonte se nuk kishte dijeni për Holokaustin, hetuesit më vonë zbuluan se ajo mund të ketë shkaktuar në mënyrë të tërthortë një masakër duke urdhëruar largimin e punëtorëve hebrenj nga një skenë rruge ku ajo po xhironte. Në një moment të dokumentarit të Veielit, një intervistues televiziv e pyeti nëse është e vërtetë që shkonte në kinema me Joseph Goebbelsin (rreth 10 herë, sipas ditarit të Goebbelsit). Riefenstahl shpërtheu në zemërim të papërmbajtur. Ajo nuk dëshironte të fliste për këtë.
Në kuptimin më të mirë të fjalës, Riefenstahl është një subjekt monstruoz. Ajo është pa ndjeshmëri dhe mbart mbi vete një histori të errët. Është e rreme dhe gënjeshtare, përplaset vazhdimisht me realitetin dhe shpërthen sapo përballet me përgjegjësinë. E gjithë kjo e bën atë të jetë ëndërr e çdo dokumentaristi. Çdo film është bashkëpunim mes regjisorit dhe subjektit. Ky i fundit ofron lëndën e parë dhe përcakton linjën bazë të tregimit. Por, gjithashtu lë boshllëqe për t’u mbushur dhe gënjeshtra për t’u zbërthyer. Ata tregojnë një histori, ndërsa regjisori tregon një tjetër – dhe ky tension, ky fërkim, është receta për një dramë të mirë. Madje, nuk ka rëndësi që Riefenstahl ka vdekur prej kohësh dhe Veiel nuk mund ta intervistojë më. Ajo ka lënë letra komprometuese, deklarata të rreme dhe një arkiv intervistash kaotike televizive për t’u analizuar nga të gjithë ne.
Kur gjithçka merret në konsideratë, i preferoj dokumentarët ku subjekti nuk do të flasë, sesa ata ku ai flet me dëshirë. Më pëlqen kur duhet shoh ballafaqimin e vërtetave të pakëndshme, apo kur llomotitja është shpërqendrim ose një enigmë për t’u zgjidhur. Hetimi i famshëm i Andrew Jareckit për krimin e vërtetë në serinë Fatkeqi [The Jinx], përfundoi me të dyshuarin kryesor – vrasësin e dyshuar Robert Durst – të kapur nga mikrofoni i ndezur, teksa thuajse rrëfente krimet e tij. Por, në filma, si në jetë, armët që nxjerrin tym janë të rralla. E vërteta është e pakapshme; përplasjet janë të pashmangshme. Shumica e dokumentarëve të mirë janë grindje e vazhdueshme mes dy apo më shumë pikëpamjeve.
Është zgjedhje e regjisorit se sa nga kjo përplasje do të tregojë. Filmbërësit si Nick Broomfield apo Louis Theroux hapin kapakun dhe tregojnë motorin, duke e vendosur veten në rolin e yjeve të dramës. Të tjerët kanë një profil më të ulët dhe preferojnë që negociatat e shëmtuara të zhvillohen pas kuintave. Karikaturisti Robert Crumb e urrente idenë e të qenit subjekt dokumentari, por miku i tij i ngushtë, Terry Zwigoff, i lutej dhe i përgjërohej për ta lejuar (legjenda thotë se Zwigoff tha se ai mund të qëllonte veten nëse filmi nuk do të bëhej). Më pas, regjisori krijoi një portret të errët dhe të shtrembëruar – Kram [Crumb, 1994] – që e paraqiste familjen Crumb si më të çrregulltën në Amerikë, përveç familjes Manson. Kur karikaturisti e ka parë filmin e përfunduar, ai ishte tmerruar.
Regjisori fitues i çmimit Oskar [Oscar], Errol Morris, është i njohur për intervistat e tij të drejtpërdrejta me figura kontroverse të ShBA-së (Steve Bannon, Donald Rumsfeld, mohuesin e Holokaustit, Fred A. Leuchter). Por, arritja e tij më e madhe mbetet Vija e hollë e kaltër [The Thin Blue Line, 1988], një hetim i detajuar i vrasjes së një polici në Dallas. Dokumentari i Morrisit nuk na jep thjesht një subjekt të pandjeshëm, por shumë prej tyre; një galeri të të mashtruesve të paqëndrueshëm me dëshmitarë të rremë dhe gënjeshtarë të drejtpërdrejtë, të paaftë të rastësishëm dhe të çmendur me sytë kokërr. Vija e hollë e kaltër hulumtoi me mjeshtëri në këtë fushë minash të gënjeshtrave. Ai identifikoi vrasësin e vërtetë dhe liroi një njeri të pafajshëm nga rreshti i vdekjes. Por, stuhia sapo kishte mbaruar kur heroi i filmit – Randall Adams, ai që u dënua gabimisht – paditi regjisorin për të kërkuar të drejtat ekskluzive të historisë së tij. Adams donte ta tregonte vetë historinë e tij dhe të fitonte diçka në këtë rast. Ai nuk donte të ishte subjekti i kryeveprës së dikujt tjetër.
Nga fundi i dokumentarit të Veielit, shohim Riefenstahlin teksa përgatitet për intervistën e fundit televizive. Ajo analizon fytyrën në pasqyrë, kontrollon këndet e kamerës dhe përgatitet sërish për të shmangur dhe për të mbrojtur veten nga telashet; për ta paraqitur veten dhe veprën e saj në dritën më të favorshme. Ky është ndoshta i vetmi moment në film kur ndjeva pak keqardhje për të – ndoshta sepse është një version më i madh dhe më i errët i asaj që të gjithë ne bëjmë çdo ditë. E strukturojmë jetën tonë si një histori dhe e vendosim veten në rolin e heroit, edhe kur faktet thonë të kundërtën. Dokumentarët e mirë tregojnë histori të çuditshme për subjekte të pazakontë. Por, ata të mëdhenjtë, sipas meje, nxjerrin në pah një dobësi universale njerëzore. Ata na tregojnë se, në fund të fundit, të gjithë sillen pak a shumë njësoj – qofshin të suksesshëm apo të dështuar, simpatizantë nazistë apo jo. Ne e tregojmë të vërtetën siç na duket dhe shpresojmë që askush të mos na ndërpresë. Na pëlqen të flasim për disa gjëra. Për të tjerat, jo aq shumë. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

"Ka të veshur xhemper të zi me simbole" - shumë qytetarë bashkohen në kërkimin e Alp Krasniqit në Gjilan

Nis operacioni për 8-vjeçarin e zhdukur në Gjilan, kërkimet po bëhen edhe me dronë

Dalin pamjet e momentit kur eskaloi situata në ndeshjen mes Bashkimit dhe Pejës

Gakpo hedh bombën për të ardhmen e Alexander-Arnold pas festës së titullit

Mediat spanjolle konfirmojë datën se kur do të largohet Ancelotti nga Real Madridi

Zhduket një 8-vjeçar në Gjilan, familjarët kërkojnë ndihmë urgjente: Është me autizëm