Krerët më të lartë të shtetit të Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi u takuan të premten në Departamentin e Shtetit me shefen e diplomacisë amerikane, Condoleezza Rice.

Rice e cilësoi "historike" vizitën e parë të udhëheqësve të shtetit të Kosovës dhe përsëriti angazhimin amerikan për Kosovën. Ajo shprehu besimin në angazhimin e institucioneve të Kosovës për ndërtimin e një demokracie shumetnike dhe respektimin e pakicave.

Duke komentuar kundërshtimin e disa vendeve ndaj pavarësisë së Kosovës, shefja e diplomacisë amerikane përsëriti se Kosovën tashmë e njohin mbi 40 shtete dhe shtoi se "e ardhmja e Kosovës do të jetë e shkëlqyer pasi ka popull të vendosur, miq të vendosur dhe qeveri të vendosur".

Presidenti dhe kryeministri i Kosovës i shprehën mirënjohjen e tyre Sekretares amerikane të Shtetit për angazhimin dhe mbështetjen e SHBA-ve për Kosovën. Presidenti Sejdiu pas takimit, para mediave, tha se "do të ndërtojmë një Kosovë që do të jetë atdhe i të gjithëve". Kryeministri Thaçi nënvizoi se "Kosova e pavarur është vend i paqes dhe progresit".



Krerët e shtetit të Kosovës nënvizuan përparimin e shënuar në këto muaj të para të pavarësisë.

Rice duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve foli dhe për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë. "Kosova dhe Serbia do jenë pjesë e shtëpisë evropiane dhe do bëjnë reformat e nevojshme për të qenë pjesë e së ardhmes së Evropës", tha Rice.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice në mbyllje të konferencës për shtyp tha se "udhëheqja e Kosovës është e zonja të demonstrojë të ardhmen evropiane të vendit".

Të hënën, më 21 korrik presidenti dhe kryeministri i Republikës së Kosovës do të takohen në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e SHBA-ve, George Bush. /Radio Evropa e Lirë/