Rheinmetall hap fabrikën më të madhe të municioneve në Evropë - prezent edhe shefi i NATO-s

Gjiganti gjerman i industrisë së mbrojtjes, Rheinmetall AG, ka inauguruar zyrtarisht fabrikën më të madhe të prodhimit të municioneve në Evropë.
Objekti ndodhet në qytetin Unterlüß dhe do të fokusohet fillimisht në prodhimin e predhave të artilerisë kalibër 155mm, të cilat janë të standardizuara nga NATO.
Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke theksuar rëndësinë strategjike që ka kjo fabrikë për sigurinë e kontinentit në kontekstin e rritjes së tensioneve në Evropën Lindore.
Sipas njoftimit të kompanisë, kapaciteti maksimal i prodhimit pritet të arrihet deri në vitin 2027, me deri në 350 mijë predha në vit. Përveç artilerisë tradicionale, fabrika do të nisë nga viti 2026 edhe prodhimin e armëve raketore, duke zgjeruar ndjeshëm kapacitetin teknologjik dhe logjistik të Rheinmetallit.
Gjithashtu, kompania gjermane ka bërë të ditur se ka në plan ndërtimin e një fabrike të ngjashme edhe në Ukrainë, me synimin për të krijuar një ekosistem mbrojtës pan-evropian, që do të përforcojë bashkëpunimin ndërmjet vendeve të NATO-s dhe partnerëve të saj në rajon.
Ndërkohë, një sondazh i kryer nga instituti gjerman Forsa tregon se 52 për qind e qytetarëve gjermanë besojnë se Ukraina duhet të jetë e gatshme të bëjë lëshime territoriale, për të arritur një marrëveshje paqeje me Rusinë.
Kjo shifër pasqyron debatet e vazhdueshme në opinionin publik europian mbi rrugën që duhet ndjekur për t’i dhënë fund konfliktit. /Telegrafi/


































