Vrasja e aktivistit boshnjak në 2010-në, Rexhepi: Arrestimi i të dyshuarit është sinjal i rëndësishëm se shteti nuk i harron viktimat

Deputetja Emilia Rexhepi ka përkujtuar 16-vjetorin e vrasjes së aktivistit boshnjak Sefko Salkoviq, duke theksuar se arrestimi i të dyshuarit për këtë rast paraqet një hap të rëndësishëm drejt zbardhjes së krimit dhe forcimit të sundimit të ligjit.
Ajo ka shkruar se Salkoviq ishte i angazhuar fuqishëm në jetën shoqërore dhe publike, duke punuar për interesat e komunitetit boshnjak në Kosovë dhe duke u angazhuar për njohjen institucionale dhe realizimin e të drejtave të këtij komuniteti.
“Ai ishte aktiv në shumë sfera të jetës shoqërore, duke kontribuar në forcimin e pjesëmarrjes politike dhe sociale të boshnjakëve dhe integrimin e tyre në institucione”, ka deklaruar Rexhepi.
Sipas saj, gjatë sulmit në të cilin u vra Salkoviq, u plagos edhe një aktivist tjetër boshnjak, çka dëshmon seriozitetin dhe natyrën e synuar të atentatit. Ajo ka përmendur se në atë periudhë boshnjakët në veri të Kosovës përballeshin me presion dhe pasiguri të konsiderueshme, përfshirë veprimtarinë e strukturave ilegale serbe që krijonin atmosferë frike tek qytetarët.
Rexhepi ka theksuar se arrestimi i një personi të dyshuar për vrasjen dhe plagosjen e aktivistit paraqet një sinjal pozitiv për përkushtimin e shtetit në zbardhjen e krimeve të rënda.
“Ky hap përfaqëson një sinjal të rëndësishëm se shteti i Kosovës, pavarësisht sfidave politike dhe të sigurisë, nuk i harron viktimat e strukturave kriminale dhe ka vullnet institucional për të zbardhur edhe rastet më të vështira” ka shkruar ajo.
Ajo ka shtuar se drejtësia mund të jetë e ngadaltë, por ka shprehur besimin në sundimin e ligjit dhe institucionet e drejtësisë, duke kërkuar që përgjegjësit për vrasjen e aktivistit boshnjak të ndiqen penalisht dhe të dënohen nga gjykatat kompetente.
Në fund, Rexhepi ka theksuar se kujtimi i Sefko Salkoviqit mbetet obligim i përhershëm për shoqërinë, duke theksuar se vetëm përmes ndjekjes konsekuente penale të përgjegjësve mund të ndërtohet besimi në institucione dhe të parandalohet përsëritja e krimeve të tilla. /Telegrafi/

















































