Këshilli Gjyqësor i Kosovës, më 22 nëntor kishte emëruar për kryetar të gjykatës Themelore në Prishtinë gjykatësin Albert Zogaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën Komunale në Prishtinë.

Mirëpo kundërkandidati i tij, kishte bërë kërkesë për rishqyrtimin dhe revokimin e vendimit të KGjK-së, për emërimin e kryetarit të gjykatës Themelore në Prishtinë, me arsyetimin se kandidati i zgjedhur për kryetar nuk i plotëson kushtet të parapara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet tjera në fuqi, shkruan Gazeta JnK.


Të premten, KGjK-ja e ka revokuar vendimin e marrë për kryetarin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Pas këshillimit me anëtarët e KGjK- së kemi vendosur që ta revokojmë vendimin e marrë për kryetarin e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Kemi konsideruar se kemi të bëjmë me shkelje ligjore, ngase kandidati në fjalë nuk plotëson kriteret e nevojshme për emërim në pozitën e kryetarit të gjykatës themelore”, i tha Gazetës Jeta në Kosovë, kryesuesi i KGjK-së, Enver Peci.

“Propozimi për kandidatin e ardhshëm do të bëhet më 10 dhjetor”, konfirmoi ai.

Vendimi për përsëritjen e procedurës së përzgjedhjes së Kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës është marrë nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor, me 9 vota për, 1 ishte kundër dhe 1 abstenoi.

Gjykatësi Albert Zogaj ka vetëm dy vjet përvojë pune dhe ende është në mandatin fillestar të gjykatësit.

Pas emërimit të Albert Zogajt në krye të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kishte reaguar duke vlerësuar se Këshillit Gjyqësor kishte vendosur duke shkelur kriteret ligjore. IKD ka kritikuar KGJK-në se krahas pavarësisë së këtij pushtetit, duhet të jetë edhe llogaridhënës.

“Në asnjë moment gjyqësori nuk duhet të konsiderohet si pronë private, ngase pavarësia e gjyqësorit nuk është qëllim në vete por synon që të garantoj se të drejtat dhe liritë e individëve realizohen, zbatohen dhe mbrohen nga gjykatës të pavarur dhe të paanshëm”, thuhej në reagimin e IKD-së. /Telegrafi/