‘Rënia më e trishtuar ndonjëherë’ – Dele Alli shënjestër e kritikave pas huqjes në portën e zbrazët në humbjen turpëruese nga Minnesota United

Dele Alli ka marrë kritika të shumta nga tifozët e futbollit në rrjetet sociale pas huqjes në portën e zbrazët në ndeshjen ndaj Minnesota United.
Në ndeshjen miqësore ndaj skuadrës amerikane, Evertoni pësoi humbje turpëruese prej 4-0, ndërsa ish-ylli i Tottenham Hotspur ishte njeriu që mori më së shumti kritika.
Skuadra angleze është duke i bërë përgatitjet parasezonale dhe kjo sfidë ishte pjesë e fushatës përgatitore.
Mesfushori anglez ishte në situatë shumë të mirë shënimi kur pranoi një top në vijë të portës së zbrazët, por e nxori jashtë.
Huqja ndodhi në kohën kur Minnesota ishte në epërsi prej 3-0, ndërsa ishin edhe 20 minuta për t’u luajtur.
Tifozët e futbollit kanë reaguar shpejt në rrjetet sociale duke e quajtur Allin një futbollist të përfunduar. /Telegrafi/
























































