LAJMI I FUNDIT:

Rëndësia që Ushtria ka për shqiptarët

Rëndësia që Ushtria ka për shqiptarët

Mungesa e njerëzve të shkolluar, por më shumë ajo e Ushtrisë, janë arsyet që na kanë sjellë në këtë gjendje të keqe. Këto janë dy elementet kryesore që krijojnë kushte dhe siguri për jetë, për çka rilindësit i parashtronin në kërkesat e tyre për autonominë, që do të çonte pastaj në pavarësi. Porta e Lartë kishte ‘arsye’ që ua mohonte shqiptarëve këto të drejta, për shkak se Perandoria do të shpërbëhej nëse shqiptarët do të krijonin shtet siç duhej.

Kërkesa e rilindësve ka qenë që ushtarët dhe oficerët shqiptarë të shërbenin brenda territorit të katër vilajeteve, por kjo u mohua nga Porta dhe këtë mohim e mbështetnin edhe Fuqitë e Mëdha. Sikur kërkesa për Ushtri të realizohej, shteti shqiptar sot do të kishte dalje edhe në detin Egje dhe Selaniku me siguri do të ishte qyteti i dytë më i rëndësishëm i Shqipërisë.


Karakteristika kryesore me të cilën shqiptarët janë identifikuar gjatë historisë, është aftësia ushtarake. Në historinë më të re kjo u dëshmua me Ali Pashë Tepelenën i cili e krijoi një shtet të fuqishëm për shkak se shqiptarët e udhëhiqnin Ushtrinë dhe kreun e qeverisjes, grekët administratën, ndërsa hebrenjtë dhe të tjerët ekonominë. Kaq i duhet prijësit për të kuptuar sesi shkojnë punët e shtetit. Këtë gjë Ali Pasha e dinte saktë. Por, Perandoria nuk e lejoi organizim të tillë, për çka i mblodhi të gjitha forcat për ta eliminuar Ali Pashën. Kështu shqiptarëve u mbeti që t’i tregonin aftësitë e tyre veç brenda Ushtrisë perandorake.

Kur shkoi Perandoria, për shqiptarët u bë edhe më keq. Në Mbretërinë e Jugosllavisë, shqiptarëve nuk do t’ju lejohej afrimi te shkolla e as te Ushtria. Shqiptarët do të shërbenin si ushtarë të parëndësishëm, e jo si oficerë. Njësoj ka qenë edhe në Jugosllavinë e Titos. Edhe pse regjimi komunist proklamoi barazi mes kombeve, shqiptarët kanë qenë të pabarabartë në Ushtri. Numri i oficerëve shqiptarë ka qenë i parëndësishëm, i vetmi kryeqytet që nuk kishte akademi ushtarake ka qenë Prishtina, kurse Mbrojtja Territoriale e Kosovës ka qenë në duar të serbëve.

Athua pse ka qenë kështu? Ka qenë kështu për shkak se Ushtria është shtylla kryesore e shtetit dhe njëkohësisht arsyeja kryesore që shqiptarëve nuk ua lejonte krijimin e shtetit të tyre. Shqiptarët mund të krijonin dituri në shkollat e tyre, mund të krijonin opsione politike… por, me çka do ta mbronin politikën?

Ne edhe sot e kemi gjendjen gati të njëjtë. Shkollat dhe Ushtrinë i kemi sa për sy e faqe. Kemi hequr dorë nga ndërtimi i këtyre dy shtyllave. Në fakt, për krijimin e një ushtrie të mirëfilltë edhe jemi penguar, por nuk kemi treguar vendosmëri për ta mënjanuar pengesën.

Duhet ta kemi të qartë: asnjë opsion politik dhe diplomatik nuk çon peshë nëse pas nuk e ka mbështetjen e fuqisë ushtarake. Mungesa e Ushtrisë adekuate është arsyeja pse sot njerëzit frikohen nga Serbia. Kjo është arsyeja që frika shpesh del në sipërfaqe: ‘Kuku mos po shkon KFOR-i’. Kjo frikë ka ekzistuar në ditët e perëndimit të Perandorisë Otomane. Natyrisht që çdo gjë që vjen edhe shkon. Por, ndërkohë duhet të forcojmë Ushtrinë tonë e të mos e kultivojmë atë zanatin ‘me hy dhëndër me alete t’huja’!