LAJMI I FUNDIT:

Rëndësia e aktiviteteve sportive dhe rekreative për personat me aftësi të kufizuara

Rëndësia e aktiviteteve sportive dhe rekreative për personat me aftësi të kufizuara

Për personat me aftësi të kufizuara, sporti është shumë më tepër se rekreacion apo argëtim

Shkruan: Shkurta Haxhiu


Sporti kontribuon në rehabilitimin dhe ruajtjen e shëndetit të tyre, siguron shoqërizim dhe një jetë më të mirë sociale, si dhe është një mekanizëm i rëndësishëm i edukimit gjithëpërfshirës.

Sporti është shumë i rëndësishëm në forcimin e vetëbesimit, veçanërisht në moshën e pubertetit dhe adoleshencës, sepse kjo është mosha më e ndjeshme e të rinjve, veçanërisht të rinjve me aftësi të kufizuara.

Përmes sportit personat me aftësi të kufizuara ndërtojnë vetëvlerësimin, mbushin kohën e lirë, ulin ndjenjën e pafuqisë dhe arrijnë qëllimet e tyre përmes pjesëmarrjes në garat sportive.

Përmes sporteve dhe garave të ndryshme personat me aftësi të kufizuara luftojnë ndjenjën e vetmisë, ndjenjën e inferioritetit dhe ndihen më të barabartë dhe më të pranuar në shoqëri; pasurojnë jetën e tyre shoqërore dhe krijojnë miqësi të reja.

Çdo person me aftësi të kufizuara përmes aktivitetit të tij fizik parandalon dhe ngadalëson komplikimet shëndetësore për shkak të mungesës së tij fizike.

Sporti është gjithashtu shumë i rëndësishëm për shëndetin mendor sepse aktiviteti redukton depresionin, ankthin dhe stresin.

Kjo bashkësi arrin barazi më të madhe në shoqëri përmes sportit. Njerëzit e tjerë i shohin ata dhe aftësinë e kufizuar ndryshe, frikësohen më pak dhe i admirojnë më shumë. Perceptimi publik po ndryshon dhe njerëzit e kuptojnë se këta persona mund të bëjnë më shumë sesa mendojnë të tjerët.

Fillojani! Asnjëherë nuk është vonë për një fillim të ri

Në mënyrë që personat me aftësi të kufizuara të mund të angazhohen me sukses në një sport të caktuar, në mënyrë rekreative ose profesionale, është e nevojshme të bëhen disa përshtatje në vetë sportin ose rregullat e tij.

Hapi parë: Kontrolloni gjendjen tuaj shëndetësore. Para fillimit të trajnimit, është e rëndësishme që mjeku ose terapisti të ekzaminojë nëse janë plotësuar kushtet e nevojshme fizike.

Sigurohuni që të informoni përgjegjësit për planet tuaja sportive dhe t’i përfshini ato në procesin e vendimmarrjes.

Hapi i dytë: Gjeni sportin që dëshironi të luani. Si ndihem? Çfarë aktivitetesh fizike mund të bëj? Shumë faktorë kanë rol në zgjedhjen e një sporti. Kjo shpesh përfshin shkallën e paaftësisë dhe nivelin individual të aftësisë fizike dhe predispozicionit fizik.

Por gjëja më e rëndësishme është të pyesni veten – cili sport më bën të lumtur dhe më argëton?

Hapi i tretë: Vendosni qëllime realiste. Pika fillestare e një plani trajnimi cilësor është të vlerësoni aftësitë vetjake dhe të përcaktoni nivelin e angazhimit. Nuk duhet të synoni rezultate maksimale, por duhet të kujdeseni për nivelin që ju përshtatet. Nëse pas stërvitjes e prisni me padurim stërvitjen tjetër, atëherë është një shenjë e mirë që keni gjetur ekuilibrin e duhur. Përpjekja për përmirësime të vogla me kalimin e kohës rrit shanset për sukses dhe kështu krijohet gjithmonë motivim të ri.

Në sportet ku qëndrueshmëria është e rëndësishme, në fillim ka kuptim të rrisni kohëzgjatjen e lëvizjes dhe të mos përpiqeni për shpejtësi maksimale. Kini parasysh se në disa sporte, fillimisht duhet të praktikohet përdorimi i protezave ose karrigeve me rrota.

Shoqata “Heroinat” është konceptuar si një komunitet që mbështet individët dhe sportistët e të gjitha moshave dhe aftësive, ndërsa ne mblidhemi për të punuar në ndërtimin e zakoneve të shëndetshme, për të trajnuar dhe mbështetur njëri-tjetrin.

Është një bashkim vullnetarësh që ushtron aktivitetin e saj kryesisht të përqendruar në projekte dhe programe te sensibilizimit, mbështetjes dhe në sigurimin e shërbimeve të ndryshme në fushën e aftësisë së kufizuar, si ato të riaftësimit, shoqërizimit, edukimit, formimit profesional.

Ne shoqërohemi, ndërtojmë miqësi të reja, përmirësojmë komunitetin e garave, lidhim qytete dhe shtete, vrapojmë dhe udhëtojmë kudo që na çojnë këmbët ose kudo që na thërrasin.

Shoqata punon me prindër e familjar të personave me aftësi të kufizuara, me aktorë të përfshirë për zbatimin e të drejtave të këtij komuniteti, ndërsa programet mbështeten nga donatorë të huaj dhe vendas. Vlen të përmendet, kësaj radhe, donatori Shenasi Hetemi nga Presheva, veprimtar nga Zvicra i  cili  me vullnetin e tij ka treguar dëshirë, zemër dhe ndershmëri duke financuar veprimtari të shumta, nga ofrimi pajisjeve ndihmëse, pjesëmarrja në aktivitete sportive e deri te dhurimi i veturës për një pjesëtar me aftësi të kufizuar.

“Heroinat” punon vazhdimisht për krijimin e një legjislacioni të favorshëm si dhe për sensibilizimin e opinionit publik me probleme të këtij komuniteti.

Për shkak se ne nuk u shmangemi sfidave, projektet tona nuk janë të zakonshme, por të pazakonta, sfiduese, të ndryshme dhe gjithmonë të orientuara drejt komunitetit. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori