Reja thyen heshtjen dhe flet për të ardhmen te Shqipëria: Dua të vazhdoj, por nuk jam unë që vendosi

Shqipëria do të zhvillojë ditën e shtunë ndeshjen e katërt miqësore të muajit nëntor, që përkon edhe me sfidën e fundit për këtë vit kalendarik.
Kuqezinjtë do të luajnë kundër Armenisë në stadiumin ‘Air Albania’ në ora 17:30.
Tekniku italian Edoardo Rejaanalizoi sfidën e nesërme, ndërsa thekson se ndaj Armenisë do të ketë një rrotacion në formacion dhe do të luajnë lojtarët e thirrur rishtaz në Kombëtare.
Gjithashtu, ai foli edhe për të ardhmen e tij dhe të Kombëtares, nëse trajneri do të vijojë të jetë në krye të pankinës kuqezi.
Kontrata dhe Kombëtarja shqiptare – Sa i përket të ardhmes time ne kemi folur shpesh, por nëse do të duhet të flasim për rritjen, mendoj se Kombëtarja shqiptare ka pasur rritje. Ka qenë graduale, muaj pas muaji. Sa i përket kontratës, është diçka që e gjykon tjetërkush, e gjykojnë mediat, Presidenti Duka dhe ju të gjithë. Por sa i përket skuadrës, mendoj se kemi bërë mirë në kaq kohë që ne kemi punuar bashkë. Rezultatet e fundit nuk kanë qenë aq pozitive, por për pjesën tjetër mund të them se kemi pasur rezultate shumë të mira. Mund të përmendim ndeshjen me Izraelin dhe Islandën që mendoj se mund të marrim më shumë pikë, sepse e kemi merituar. Kemi folur shpesh për mungesat, por përtej mungesave ne na kanë penalizuar edhe episodet e ndryshme gjatë këtyre ndeshjeve. Mjafton të përmendim faktin që po mos të ishte për minutat shtesë, ne do të kishim më shumë pikë dhe mund të ishim në krye të grupit të Nations League. Por në këto minuta jemi ndëshkuar dhe kemi humbur pikë. për këtë më vjen keq. Por jemi në këmbë. Unë në aspektin personal dua të vazhdoj, por nuk jam unë ai që vendos për këtë marrëdhënie. Jemi përpjekur të punojmë me të rinjtë, me disa element të kampionatit shqiptar të cilët janë shumë të vlefshëm dhe po mundohemi t’i ingranojmë në kombëtare që të tregojnë vlerat e tyre.
Grup tjetër lojtarësh për kualifikueset e Kampionatit Europian? – Normalisht në të ardhmen do të duhet të bëjë disa zgjedhje përfundimtare, sigurisht është edhe çështje brezi dhe disa lojtarë me kalimin e moshës do të duhet të largohen dhe është normale. Kemi rreth 40 lojtarë që i vëzhgojmë prej dy vitesh dhe janë në listën tonë. Qëllimi ynë është që të shkojmë në finalet e Euro 2024, po punojmë, dhe po vëzhgojmë lojtarët e rinj. Sigurisht ky është një proces i vështirë, për të krijuar grupin e duhur, pasi nëse bën shumë ndryshime duhet të keshharmoninë e duhur për të intergruar lojtarët e rinj me ekipin. Por koha në dispozicion është e pakët deri në mars, kështu që duhet punuar shumë shpejt. Është diçka shumë e rëndësishme që lojtarët që do vijnë duhet të vijnë me bindjen që të japin gjithçka për këtë skuadër dhe për këtë fanellë. Në të ardhmen do të jem më i vendosur për të bërë zgjedhjet definitive në këtë drejtim.
Lojtarët e rinj: Sigurisht që e kisha programuar edhe më parë që në këtë miqësore do të provoj lojtarë të rinj. Duhet të vlerësoj faktin që disa lojtarë që luajtën kundër Italisë në aspektin fizik ndoshta nuk ishin edhe aq mirë kështu që deri nesër në mëngjes do të vlerësoj kush është në gjendje të luajë pasi kanë pasur edhe shumë ngarkesë. Sa i përket të rinjve, mund të them që mund të luajnë nga minuta e parë Hadroj, Gurishta, të shohim Bitrin, ndërsa në sulm edhe Muçi e Skuka do luajnë që nga minuta e parë dhe jam i bindur që do bëjnë një paraqitje të mirë. Për mua janë lojtarë me vlera dhe mendoj se do të bëjnë një ndeshje shumë të mirë.
Ndeshja e fundit në krye të Shqipërisë, keqardhje nëse largoheni? – Sigurisht që në këtë drejtim e ndjej si një ndeshje të veçantë dhe emocionuese, por nëse nuk do jem trajneri i Shqipërisë unë mbetem i dashuruar me këtë vend. Para pak ditësh vizitova jugun e Shqipërisë dhe vizitova Sarandën e Gjirokastrë, që më kanë pëlqyer shumë. Flitet shumë për jugun e Shqipërisë, por nuk ka vetëm jugun, ky vend është shumë i bukur. është shumë e sigurt që nëse unë nuk do të jem trajner i Shqipërisë, unë do të kthehem këtu, qoftë edhe për të vizituar Shqipërinë, por edhe për të parë ndonjë ndeshje. Nuk e di çfarë mendoni ju, por ka shumë njerëz që më duan vërtetë dhe më respektojnë. Do të doja të vizitoja edhe Krujën, pasi kam lexuar disa libra për të njohur akoma edhe më mirë Shqipërinë. At Zef Pllumin, apo edhe Ismail Kadarenë. Turqit kanë vuajtur shumë, derisa i pushtuan, pasi shqiptari ka treguar karakter shumë të fortë me turqit dhe do doja që këtë karakter të fortë ta tregonte edhe duke luajtur futboll.”























































