Jafar Panahi, regjisori i filmit fitues të Palmës së Artë, Ishte thjesht një aksident [Yek tasādof-e sāde], thotë se udhëheqësit iranianë duan ta shkatërrojnë vendin.

Nga: Philip Oltermann / The Guardian (titulli: Khamenei regime will not be able to keep control of Iran, says dissenting film-maker)
Përkthimi: Telegrafi.com


Pas shtypjes së dhunshme të valës më të fundit të protestave, regjimi i Khameneit nuk do të jetë në gjendje të mbajë kontrollin mbi shoqërinë iraniane, ka parashikuar një nga kineastët kryesorë të vendit.

“Është e pamundur që kjo qeveri të mbajë veten në këtë situatë”, tha për Guardian, regjisori Jafar Panahi. “Edhe ata e dinë këtë. E dinë që do të jetë e pamundur të sundojnë mbi njerëzit. Ndoshta qëllimi i tyre i vetëm tani është ta çojnë vendin në prag të kolapsit të plotë dhe të përpiqen ta shkatërrojnë”.

Protestat e shkaktuara nga ekonomia e dobët kanë përfshirë Iranin që nga fundi i dhjetorit dhe janë përballur me goditje vdekjeprurëse nga forcat e sigurisë gjatë fundjavës, me raporte për më shumë se 2 500 njerëz të vrarë.

Lexo po ashtu:
- Jafar Panahi është regjisori më i rëndësishëm i Iranit - u dënua me burg pas kësaj interviste
- Për “armikun e popullit” dhe kampionin që nuk gjunjëzohet!
- Q... shtetin që s’ka film!
- Pse filmat e Iranit janë ndër më të mirët në botë?

Ndërprerja e internetit të premten e kaluar, që bllokoi 95-99 përqind të rrjetit të komunikimit të vendit, ishte “shenjë se një masakër shumë e madhe po vinte”, tha Panahi. “Por, ne kurrë nuk parashikuam që shtypja do të kishte përmasa dhe shifra të tilla”.

Panahi, 65 vjeç, foli për Guardian-in nga ShBA-ja, ku ai po promovon filmin e tij më të fundit, Ishte thjesht një aksident. Vitin e kaluar, ai filmi fitoi Palmën e Artë në festivalin e filmit në Kanë dhe është një pretendent kryesor për Oskar më 2026 në kategorinë e filmit artistik ndërkombëtar.

Pjesërisht triler hakmarrjeje, pjesërisht komedi e zezë, konkurrimi francez për çmimin e Akademisë ndjek një grup ish-të burgosurish politikë iranianë që përpiqen të vendosin nëse do të marrin hak ndaj një burri për të cilin ata besojnë se i ka torturuar ata në burg.

“Ajo që kam paraqitur në këtë film është se kur cikli i dhunës vazhdon, atëherë bëhet shumë e vështirë për ta ndaluar atë”, tha Panahi. “Për fat të keq, për shkak të egërsisë që po kryhet nga shteti, frika është se ky cikël i dhunës do të vazhdojë”.

Në dhjetor, regjisori u dënua me një vit burg në mungesë për akuza për krijimin e propagandës kundër sistemit politik, por ai ka shpallur synimin e tij për t’u kthyer në vend.

Ai është burgosur dy herë, për protestimin kundër ndalimit të dy kineastëve kolegë që kishin qenë kritikë ndaj autoriteteve në vitin 2022, dhe për mbështetjen e protestave kundër qeverisë në vitin 2010.

Panahi tha se ndërsa kolapsi i qeverisë së udhëhequr nga udhëheqësi klerik, Ajatollah Ali Khamenei, ishte i pashmangshëm pas shtypjeve të përgjakshme të fundit, koha e tij ishte e pamundur për t’u parashikuar.

“Regjimi do të bjerë, 100 përqind”, tha Panahi. “Kjo është ajo që u ka ndodhur qeverive diktatoriale në të gjithë historinë. Kur do të bjerë, askush këtë nuk e di. Ne duam që të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur, në minutat e ardhshëm, por ka shumë faktorë që duhet të bashkohen që kjo të ndodhë”.

Ai paralajmëroi qeveritë perëndimore për përfshirjen me regjimin klerikal si akterë racionalë. “Në diktatura të tjera rreth botës, do të shihni që do të ketë të paktën disa njerëz që do të veprojnë duke u bazuar në racionalitet dhe që nuk do ta lejojnë që të arrijë në këtë pikë”, tha ai, duke folur përmes përkthyeses së tij Sheida Dayani. “Por, për fat të keq, në këtë sistem nuk ka racionalitet. Gjithçka për të cilën ata mund të mendojnë është shtypja dhe si të qëndrojnë në pushtet edhe vetëm një ditë më shumë. Gjëja e fundit për të cilën ata po mendojnë janë njerëzit”.

Disa protesta kundër regjimit, në Iran dhe mes diasporës iraniane në Evropë dhe ShBA, kanë bërë thirrje për kthimin e Reza Pahlavit, djalit të mërguar të shahut të fundit të Iranit. Pahlavi, i cili jeton në Uashington, babai i ndjerë i të cilit sundoi Iranin si një monark autokrat nga viti 1941 deri më 1979, ka bërë thirrje që njerëzit të dalin në rrugë.

Panahi e pranoi që thirrjet për kthimin e djalit të shahut ishin “zëri që po del [nga protestat], me të vërtetë”. Megjithatë, ai shtoi: “Siç ka thënë vetë Reza Pahlavi, pas tranzicionit duhet të ketë një referendum në Iran, dhe atëherë njerëzit do të vendosin çfarë lloj qeverie duan dhe kë duan që t’i sundojë ata. Gjatë kësaj periudhe të tranzicionit, duhet të gjithë të jemi të bashkuar”.

I pyetur nëse Pahlavit mund t’i besohet mbikëqyrja e tranzicionit post-regjim, ai tha se kjo i takon popullit të Iranit për të vendosur. “Qoftë nëse biem ose jo në pajtim me Pahlavin, ajo që dimë është se shumica dërrmuese e popullsisë së Iranit duan që regjimi aktual të largohet”. /Telegrafi/