Realizohet me sukses nefrektomia e asistuar me robot në "Acibadem Sistina"

Si qendra e vetme për kirurgji robotike në vend, Kosovë dhe Shqipëri, Spitali Klinik “Acibadem Sistina” vazhdon të zgjerojë fushën e zbatimit të kësaj teknologjie, duke e aplikuar atë edhe në trajtimin e tumoreve komplekse të veshkës.
Ekipi urologjik i spitalit, për herë të parë, kreu me sukses një nefrektomi të asistuar me robot (heqjen e veshkës) te një paciente 59-vjeçare. Operacioni u krye nga urologët Dr. Aleksandar Mickovski, Prof. Dr. Sotir Stavridis dhe Dr. Vlladimir Llozanovski, me mbështetjen e ekipit të anesteziologëve, Dr. Emilija Mirçevska dhe Dr. Robert Domazetov, infermierëve dhe profesionistëve të tjerë të përfshirë në procesin e operacionit.

Ndërhyrja u realizua sipas planit, ndërsa pacientja, pas një qëndrimi katërditor në spital, u largua për në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore.
Te tumoret komplekse të veshkës, roli i teknologjisë së asistuar me robot është shumë i rëndësishëm, pasi i mundëson kirurgut lëvizje të sakta dhe të kontrolluara, vizualizim më të mirë të fushës operative dhe qasje më të lehtë në strukturat anatomike brenda një hapësire të kufizuar. Këto përparësi janë veçanërisht të rëndësishme gjatë ndërhyrjeve komplekse urologjike.

“Pas zbatimit të suksesshëm në operacionet e prostatës, tani teknologjinë robotike e kemi aplikuar edhe te një paciente me tumor të veshkës. Kjo është nefrektomia e parë e kryer me asistencë robotike në vendin tonë, me çka kemi dëshmuar se jemi pionierë në kryerjen e një numri të madh ndërhyrjesh urologjike. Këto ndërhyrje kërkojnë punë kirurgjikale të saktë dhe kontroll maksimal në çdo fazë të operacionit dhe pikërisht këtu vijnë në pah përparësitë e sistemit robotik. Jemi krenarë që, falë teknologjisë robotike, pacientëve nga vendi dhe rajoni u ofrojmë trajtim kirurgjikal me precizion dhe siguri të lartë, duke mundësuar rikuperim më të shpejtë dhe ulje të rrezikut nga komplikimet”, tha Dr. Aleksandar Mickovski, specialist i urologjisë.
Me zgjerimin e spektrit të procedurave, “Acibadem Sistina” vazhdon të avancojë zbatimin e kirurgjisë robotike si pjesë të praktikës së rregullt klinike, duke mundësuar që një numër gjithnjë e më i madh ndërhyrjesh kirurgjikale minimalisht invazive të jenë të disponueshme për pacientët nga vendi dhe rajoni.





































