Largimet e Luka Modric dhe Lucas Vazquez, të cilëve u skadoi kontrata fundjavën e kaluar, lanë dy vende bosh në grupin e kapitenëve te Real Madrid dhe tashmë ato janë zyrtarisht të zëvendësuara. Modric kishte qenë kapiteni kryesor i klubit, ndaj largimi i tij kërkonte një pasardhës. Siç pritej, ky rol i është besuar Dani Carvajal, i cili ishte zëvendëskapiten gjatë sezonit 2024/2025, një sezon që për të u ndërpre pas një dëmtimi të ligamentit të kryqëzuar (ACL) në tetor. Për Carvajal është një moment krenarie, ndërsa numri dy në hierarki tani do të jetë mesfushori uruguaian Federico Valverde, i cili edhe më parë ishte pjesë e grupit të kapitenëve së bashku me Modric dhe Lucas, dhe tani ka bërë hapin e radhës. Sipas Diario AS, dyshen Carvajal-Valverde tani e plotësojnë edhe Thibaut Courtois dhe Vinicius Junior. 

Courtois, që iu bashkua Real Madridit nga Chelsea në vitin 2018, është caktuar si kapiteni i tretë i skuadrës. Vinicius, i cili u transferua nga Flamengo në të njëjtin vit, do të jetë i katërti në radhë.


 Ky vendim është marrë nga drejtuesit e klubit në bashkëpunim me trajnerin e ri Xabi Alonso, i cili do të mbështetet te të katër këta lojtarë për të sjellë udhëheqje në dhomën e zhveshjes përpara sezonit të tij të parë të plotë në stolin e madrilenëve. Emërimi i Vinicius si kapiten, ndonëse ishte disi i pritur për faktin që ka shtatë vite në klub, është një hap interesant, duke qenë se lojtari aktualisht po përballet me pasiguri rreth të ardhmes së tij në ‘Santiago Bernabeu’./Telegrafi/

telegrafi sport app