Real Madridi i paraqet prova UEFA-s lidhur me incidentin e racizmit ndaj Vinicius Jr

Real Madridi ka konfirmuar se i ka paraqitur prova UEFA-s pasi Vinicius Junior mori një fyerje raciste nga anësori i Benficas, Gianluca Prestianni, gjatë ndeshjes së parë të ‘play-off’-it të Ligës së Kampionëve në Estadio da Luz.
Me anë të një deklarate në faqet zyrtare, klubi mbretëror ka njoftuar me hapin e ndërmarr pas incidentit të së martës në Ligën e Kampionëve.
“Real Madrid CF njofton se sot i ka paraqitur UEFA-s të gjitha provat e disponueshme në lidhje me incidentet që ndodhën të martën e kaluar, më 17 shkurt, gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve që ekipi ynë luajti në Lisbonë kundër SL Benfica”.
“Klubi ynë ka bashkëpunuar në mënyrë aktive me hetimin e hapur nga UEFA pas episodeve të papranueshme të racizmit të përjetuara gjatë asaj ndeshjeje”.
Comunicado Oficial.
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) February 19, 2026
“Real Madridi është mirënjohës për mbështetjen dhe dashurinë unanime që lojtari ynë Vinicius Jr. ka marrë nga të gjithë sektorët e futbollit botëror”.
“Real Madridi do të vazhdojë të punojë, në bashkëpunim me të gjitha institucionet, për të zhdukur racizmin, dhunën dhe urrejtjen në sport dhe në shoqëri”, thuhet në njoftimin e Real Madridit. /Telegrafi/





















































