Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka parashtruar padi ndaj Janina Ymerit, anëtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke pretenduar se kjo është bërë për të ndaluar përhapjen e informatave të rrejshme dhe propagandës lidhur me sektorin e energjisë.

Menjëherë pas kësaj, ka reaguar Hykmete Bajrami nga LDK, e cila ka kritikuar ashpër Qeverinë për mënyrën se si po trajton rastin.


Sipas saj, Qeveria nuk po lufton mafinë energjetike, por po e përqendron fuqinë e saj kundër Janina Ymerit.

Bajrami ka kujtuar se Bordi i ZRRE-së, i zgjedhur nga kryeministri Albin Kurti, ka licencuar EFT-në e Vuk Hamoviçit dhe kompaninë e njohur NOA, të cilat sipas saj janë pjesë e problemeve në sektorin energjetik.

“Albin Kurti në vitin 2019 thoshte se nuk je lider shqiptar nëse nuk e lufton mafinë energjetike. Sot, pas pesë vitesh qeverisje, ai nuk po e lufton mafinë energjetike. Përkundrazi, përmes veglave të tij, ka vendosur ta luftojë Janina Ymerin".

"Për rikujtim: Bordi i ZRRE-së, i zgjedhur nga Albin Kurti, e ka licencuar EFT-në e Vuk Hamoviçit dhe superkompaninë NOA. Këtu jemi! Pavarësisht rezultatit të 28 dhjetorit, nuk heshtim”, ka thënë Bajrami.