Rasti “Gropa” – 46 vjet burgim dhe 39 mijë euro gjobë për 11 të akuzuarit në rastin e heroinës në Ferizaj

Gjykata Themelore e Ferizajt, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykimin dënues në rastin e njohur si “Gropa”, duke dënuar 11 të akuzuar me gjithsej 46 vjet burgim dhe 39 mijë euro gjobë për veprën penale të prodhimit dhe përpunimit të paautorizuar të narkotikëve.
Trupi gjykues, nën drejtimin e Ilir Bytyqit, pas pranimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë ndërmjet të akuzuarve dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka shpallur dënimet që variojnë nga 3 deri në 5 vjet e gjysmë burg dhe nga 2 mijë deri në 5 mijë euro gjobë për secilin prej tyre.
Sipas aktgjykimit, të akuzuarit S.Sh. dhe A.D. janë dënuar me nga 5 vjet e 6 muaj burg dhe 5 mijë euro gjobë, ndërsa të tjerët me dënime më të ulëta sipas rolit në organizimin e laboratorit të heroinës.
Hetimet zbuluan se grupi, gjatë prillit e majit të vitit 2022, kishte organizuar transportimin e lëndës bazë për prodhimin e heroinës nga Irani në Kosovë, përmes Turqisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Laboratori ishte ngritur në një shtëpi në fshatin F. të Shtërpcës, ku prodhohej heroina që më pas transportohej në Ferizaj.
Në bastisjet e policisë më 23 maj 2022, u gjetën 67.5 kilogramë heroinë e përpunuar dhe 25.5 kilogramë lëndë e papërpunuar, ndërsa më pas u zbuluan edhe 25.5 kilogramë morfinë dhe kodeinë në një shtëpi tjetër në fshatin D.
Gjykata i shpalli fajtorë të gjithë të akuzuarit për përfshirje në prodhimin dhe përpunimin e paautorizuar të narkotikëve, si dhe për ndihmë në këtë veprimtari kriminale.
Masat e paraburgimit ndaj disa prej të akuzuarve janë vazhduar deri në hyrjen në fuqi të aktgjykimit.







































