LAJMI I FUNDIT:

Raporti i OSBE-së: Ndërprerja e praktikës së braktisjes së hershme të shkollës kërkon ndërhyrje të shpejtë

Raporti i OSBE-së: Ndërprerja e praktikës së braktisjes së hershme të shkollës kërkon ndërhyrje të shpejtë
Foto: Arkiv

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka publikuar sot raportin më të fundit tematik “Braktisja e shkollës: Përtej numrave të braktisjes së arsimit të obligueshëm në sistemin e Kosovës 2020-2023”.

Në njoftimin e OSBE-së thuhet se raporti hulumton përtej statistikave për të zbuluar realitetet komplekse të shkallës së braktisjes së shkollës brenda sistemit të arsimit të obligueshëm të Kosovës nga viti 2020 deri në vitin 2023.


“Raporti konstaton se ende ka sfida përkundër përpjekjeve të lavdërueshme të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), veçanërisht në mesin e fëmijëve nga komunitetet e cenueshme si romët, ashkalitë dhe egjiptianët e Kosovës.

Raporti paraqet të dhëna për mbi 400 raste individuale të braktisjes së shkollës nga e gjithë Kosova ndërmjet viteve 2020 dhe 2023, si dhe çfarë masash, nëse ka pasur, janë zbatuar për kthimin e fëmijëve në shkollë. Raporti thekson se, ndërkohë që shumë faktorë kontribuojnë në braktisjen e shkollës, kushtet e dobëta socio-ekonomike dhe diskriminimi i shpeshtë e intensifikojnë fenomenin”, thuhet në raport.

Raporti përfshin gjithashtu një analizë të të dhënave të MASHTI-t të braktisjes së shkollës nga fëmijët e regjistruar në klasat I-IX, e cila tregon se 43 për qind e braktisjes së shkollës është nga nxënës të komunitetit ashkali, 43 për qind janë nga komuniteti egjiptian, 13 për qind nga komuniteti rom dhe 1 për qind nga komuniteti shumicë.

“Pa ndërhyrje aktive dhe sistematike, praktika e braktisjes së hershme të shkollës do të vazhdojë, duke e kufizuar perspektivën e të rinjve për punësim dhe duke kontribuar në një fuqi punëtore të pafavorizuar dhe të pakualifikuar. Përpjekjet urgjente dhe të bashkërenduara janë jetike për të thyer këtë cikël dhe për të promovuar një sistem arsimor më gjithëpërfshirës në Kosovë”, tha Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Raporti liston një numër rekomandimesh të bëra enkas për MASHTI-n, për drejtorët komunalë të arsimit, shkollat ​​dhe organizatat joqeveritare anembanë Kosovës, duke nënvizuar nevojën për të punuar së bashku në përpjekjet e konsoliduara për t’i mbajtur fëmijët në shkollë.

Raportin e plotë mund ta lexoni këtu: /Telegrafi/