LAJMI I FUNDIT:

Ramadani: Deri tani janë testuar 140 persona për coronavirus, mos bëni panik

Ramadani: Deri tani janë testuar 140 persona për coronavirus, mos bëni panik

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK), Naser Ramadani, ka deklaruar se deri më tani në total janë testuar 140 persona për coronavirus, ndërsa vetëm gjatë ditës së djeshme janë testuar 45, tre prej të cilëve janë pozitivë.

Ramadani tha se testimet po i bëjnë të gjithë atyre që dëshirojnë t’i heqin dyshimet, por ka bërë thirrje që ata që nuk kanë simptomat e këtij virusi të mos i drejtohen Klinikës Infektive.


“Do të vazhdojmë të testojmë sepse ne jemi në gatishmëri dhe jemi duke i zbatuar masat që qytetarët të kenë kujdes dhe mos të vijnë të paraqiten në Infektivë nëse nuk kanë shenja si temperaturë mbi 38 gradë, kollitje të thatë dhe dhimbje fyti”, deklaroi ai.

Shkon në tre numri i personave të prekur me coronavirus në Kosovë
Lexo po ashtu Shkon në tre numri i personave të prekur me coronavirus në Kosovë

Ramadani bëri thirrje që të mos përhapet paniku.

“Bëj apel të mos përhapet panik sepse paniku shkakton dëme më të mëdha se vetë virusi. Po ashtu, bëj thirrje që ata që janë drejtuar të rrinë në vetëkarantinë për 14 ditë të mos dalin jashtë dhe të mos kenë kontakt me familjarë. Duhet të përmbahen në të mirë të tyre dhe të familjarëve të tyre. S’ka mundësi dhe asnjë shtet në botë që t’i kontrollojë me polici, ata duhet të vetëkarantinohet sepse është terapia më efikase. Kontaktet janë identifikuar dhe janë hulumtuar prej dje në Viti dhe Klinë dhe s’ka vend për brengosje sepse gjithçka është nën kontroll. Jashtë ka dalë vetëm paniku dhe mund të dalin ata që nuk rrinë në vetëkarantinë”, pohoi ai.

Ramadani tha se të prekurit me koronavirus janë në gjendje stabile dhe në përkujdesje të infektologëve. /Telegrafi/