Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vlerësuar figurën dhe rolin historik të ish-kryeministrit Fatos Nano, gjatë ceremonisë përkujtimore të mbajtur në Tiranë. Në fjalimin e tij, Rama tha se jeta dhe veprimtaria e Nanos përbëjnë një kapitull të pazëvendësueshëm në historinë e Partisë Socialiste dhe të Shqipërisë demokratike.

“Ishte ai dyzim edhe natyrës së tij aspak sistematike, i kombinuar me burgosjen absurde, që u bë fati i PS dhe e bekoi Fatos Nanon si lider të pakonkurrueshëm, duke i dhënë një frymëmarrje të re,” tha Rama.


Kryeministri theksoi se lidershipi i Nanos ishte më shumë frymë sesa strukturë politike, duke e cilësuar atë si figurë vizionare që i dha jetë dhe identitet të veçantë Partisë Socialiste pas viteve ’90.

“Lidershipi i tij ishte më shumë frymë. Për këdo që do marrë përsipër ta zbërthejë rolin vendimtar të Fatos Nanos në atë që u bë më pas Partia Socialiste... Në selinë e partisë që ai udhëhoqi qëndron një foto – për mua mbetet pamja më domethënëse – fill pas daljes nga burgu. Ai, i sapodali nga burgu, me dorën e majtë që tregon përpara dhe sytë që shkëlqejnë plot xixa, kafshë e rrallë politike”, tha Rama.

Rama kujtoi edhe periudhat më të vështira të jetës politike të Nanos, duke theksuar se pavarësisht kritikave dhe goditjeve, ai mbeti një figurë që mishëroi krenarinë dhe qëndrueshmërinë e Partisë Socialiste.

“PS nuk lëvizi asnjë moment, e bëri PS krenare për qenien e saj, promotore e interesave madhore të kombit. Ata që e nderuan kryetarin tonë, ishin po ata që e ngritën dhe e ulën tradhtar për takimin me Millosheviqin, dhe për plot të tjera që nuk ia vlen t’i kujtojmë", u shpreh kryeministri.

Në lidhje me takimin e shumëpërfolur të Fatos Nanos me ish-presidentin serb Sllobodan Millosheviq, Rama tha se historia do të tregojë se ai veprim ishte i motivuar nga ndjenja atdhetare, jo nga tradhti.

“E kam dëgjuar prej tij bisedën me kasapin e Beogradit. Në atë takim nuk ka asgjë prej tradhtari, por kur të dalin në dritë fjalët e thëna në atë takim dhe bisedat me patriotët, atëherë askush nuk do vërë në dyshim se kontributi i tij e rendit Fatos Nanon në rreshtat e nderit", tha Rama. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com