Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se opozita po kërkon transparencë, por se ajo po e bllokon Planin Zhvillimor Komunal të dalë në konsultim publik.

Pas ndërprerjes së seancës, Rama ka thënë se prej një viti e gjysmë po punohet në këtë dokument.


“Nuk i kishim ata asamblistë (VV, PDK) sot këtu. Shohim shumë postime që thirren në jotransparencë, është e kundërta prej asaj që ne po kërkojmë prej një viti e gjysmë. Një dokument që kanë punuar të gjitha drejtoritë, institucionet, qytetarët, një dokument që është i gatshëm për diskutim publik që t’i paraqitet publikut që ta rishikojmë së bashku, të japim komente, propozime, nuk votohet që të dilet në diskutim publik. Tentojmë për transparencë të plotë që një vit e gjysmë dhe ja vazhdon bllokimi i këtij dokumenti”, ka thënë ai.

Ndryshe, sot ka dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Kryeqytetit.

Në këtë seancë, pikë e rendit të ditës ka qenë propozim-vendimi për vënien në shqyrtim publik të Projekt-dokumentit të Planit Zhvillimor Komunal 2025-2033.

Kryesuesi i mbledhjes, Ajet Brajshori tha se në sallë janë prezent vetëm 21 anëtarë.

“Nuk ka të bëjë me miratimin e planit por me diskutim publik. Nuk mund të procedohemi tutje në mungesë të kuorumit”, tha ai.

Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Prishtinë e ka bojkotuar këtë seancë, ndërkohë që më parë ka thënë se “ky është tentimi i radhës për ta kontrabanduar dokumentin kryesor komunal mbi zhvillimin e qytetit, për të cilin ministria e Mjedisit ka konstatuar qartë shkelje të shumta procedurale dhe ligjore”./Telegrafi/