Rama nuk i ndahet Vlorës: Lungomarja është e qytetarëve, bizneset t'i heqin vetë barrikadat

Në kohën kur në gjithë Shqipërinë ka nisur aksioni për lirimin e hapësirave publike të zaptuara ndër vite nga bizneset, kryeministri Edi Rama ka vënë sërish theksin te qyteti i Vlorës dhe situata në Lungomare.
Përmes një postimi në platformën “X”, kreu i qeverisë krahasoi pedonalet e qyteteve si Parisi, Londra apo New York-u me Lungomaren e Vlorës, duke thënë se hapësirat publike u përkasin qytetarëve dhe jo barrikadave.
“Asnjë problem me karriget dhe shërbimin në një pjesë të trotuarit, si në Paris, Londër apo New York, por pa harruar që trotuari është i njerëzve dhe kurrsesi i barrikadave, si në Lungomare”, shkroi Rama.
Ai theksoi se ka ardhur koha për të çliruar trotuaret nga barrikadat, dhe për të ngritur një nivel më të lartë të shërbimit dhe imazhit urban, të denjë për një Shqipëri turistike.
Kryeministri paralajmëroi edhe një transformim të mëtejshëm në dizajnin e Lungomares, duke i bërë thirrje bizneseve që të bashkëpunojnë me pushtetin vendor për këtë projekt.
“Lungomarja është modeli i vijës ujore të një qyteti turistik bregdetar. Tani duhet dhe do të jetë model i dizajnit të jashtëm të një vije shërbimesh. Prandaj pronarët e menaxherët e vijës së shërbimeve duhet të heqin vetë tërë barrikadat dhe të bashkëpunojnë me Bashkinë e Vlorës dhe Agjencinë e Zhvillimit të Territorit për dizajnin e ri, për të cilin do t’i mbështesim me kënaqësi”, u shpreh Rama.




















































