Përfundon takimi Thaçi-Rama, nuk flasin për media

(E plotësuar) Ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Edhe pas këtij takimit nuk ka pasur deklarime për media sikurse edhe nga takimet e tjera që Rama pati sot gjatë ditës.
Kryeministri Rama do të qëndrojë edhe nesër në Kosovë, ku do të ketë takime me liderët e partive politike, ndërsa në ora 14.00 pritet të dalë në një konferencë për media.
----------------------------------------------------------------------------
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pas takimeve me liderët e partive politike, sot pasdite është takuar edhe me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.
Edhe ky takim është i mbyllur për media sikur të gjitha takimet që ishin me drejtues të partive politike.
Ndërsa, prej orës 19:45, presidenti Thaçi dhe kryetari i PDK-së Kadri Veseli do të shtrojnë darkë për kryeministrin Rama.
Vizita e kryeministrit Rama në Prishtinë vjen pas propozim-aktakuzës nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së Kadri Veseli për kinse krime lufte.
Më herët gjatë ditës, Rama ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Twitter se qëndron në Kosovë për të biseduar rreth aktakuzës për krime lufte që ka paraqitur Zyra e Prokurorit Special kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerëve.
Ende nuk është bërë e ditur kush përfshihet në mesin e të tjerëve.
“Në Prishtinë, për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletë-rrufesë speciale që do të hyjë si njollë turpi e shekullit XXI në historinë botërore të drejtësisë, e cila praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur veç në epokat e sundimeve ideologjike a para tyre!”, ka thënë Rama në Twitter.
Rama gjatë ditës së sotme ka takuar edhe kryeministrin Avdullah Hoti, kryeparlamentaren, Vjosa Osmani, kryetarin e PDK-së Kadri Veseli, atë të Nismës Fatmir Limaj, si dhe ka vizituar Lëvizjen Vetëvendosje, ku është pritur nga nënkryetari Glauk Konjufca.
Ai do të vazhdojë takimet e tij me krerë të partive politike gjatë ditës së nesërme. /Telegrafi/





















































