Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, ka mirëpritur sot Ambasadorin e Francës në Kosovë, Oliver Guerot, për të diskutuar mundësitë e avancimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

“Partneritetet e qëndrueshme ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe hapin mundësi të reja për qytetarët e Kryeqytetit”, ka shkruar Rama në Facebook.


Gjatë takimit, u diskutua për thellimin e bashkëpunimit në arsimin, kulturën dhe zhvillimin urban të Prishtinës.

Kryetari theksoi se marrëdhëniet me Francën përbëjnë një partneritet të rëndësishëm, i cili kontribuon në zhvillimin ekonomik dhe social të qytetit dhe të vendit.

“Bashkëpunimi me Francën mbetet një partneritet strategjik për Kryeqytetin dhe Kosovën, dhe ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për projekte që sjellin përfitime konkrete për qytetarët”, shtoi Rama. /Telegrafi/