Raheem Sterling ka rënë dakord të bashkohet me klubin holandez Feyenoord me një kontratë afatshkurtër deri në fund të sezonit.

Anësori anglez i dha fund aventurës së tij te Chelsea muajin e kaluar, pasi arriti marrëveshje me klubin londinez për ndërprerjen e kontratës së tij. Sterling kishte një pagë prej rreth 325 mijë funtesh në javë në “Stamford Bridge”.


Që nga momenti kur u bë lojtar i lirë, 31-vjeçari – i cili numëron 82 paraqitje me kombëtaren e Anglisë – ka tërhequr interesim nga disa klube.

“Pas bisedave të gjata dhe të detajuara me Robin van Persie, jam bindur se Feyenoord është një vend ku mund të jem i lumtur dhe të konsolidohem si një anëtar i vlerësuar i ekipit”, tha anglezi.

Evertoni zhvilloi bisedime konkrete për një kontratë, ndërsa interesim shfaqën edhe Juventusi dhe Napoli. Leeds gjithashtu shqyrtoi mundësinë e një marrëveshjeje, ndërsa West Ham kishte tentuar ta transferonte në formë huazimi para se ai të zgjidhte përfundimisht kontratën me Chelsean.

Pas takimeve me disa klube dhe trajnerë, Sterling vendosi për një transferim në Eredivisie, pasi u bind nga projekti i Feyenoordit dhe nga trajneri Robin van Persie. Ish-sulmuesi i Arsenalit dhe Manchester Unitedit luajti rol kyç në arritjen e marrëveshjes.

Fillimisht, klubi nga Roterdami i kishte ofruar një kontratë afatgjatë, por Sterling preferoi një marrëveshje deri në fund të sezonit për të vlerësuar situatën përpara një angazhimi më të gjatë.


Feyenoord aktualisht renditet i dyti në Eredivisie dhe synon kualifikimin në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm. Megjithatë, skuadra është eliminuar nga garat evropiane këtë edicion. /Telegrafi/

telegrafi sport app