“Qyteti humanitar” që ministri i Mbrojtjes i Izraelit ka propozuar të ndërtohet mbi rrënojat e Rafah do të ishte një kamp përqendrimi, dhe detyrimi i palestinezëve të qëndronin brenda tij do të ishte spastrim etnik.

Kështu, siç shkruan The Guardian, përcjell Telegrafi, ka thënë ish-kryeministri i Izraelit, Ehud Olmert.


Izraeli tashmë po kryente krime lufte në Gaza dhe Bregun Perëndimor, tha Olmert, dhe ndërtimi i kampit do të shënonte një përshkallëzim.

“Është një kamp përqendrimi. Më vjen keq”, tha ai, kur u pyet për planet e paraqitura nga Israel Katz javën e kaluar.

Pasi të hyjnë brenda, palestinezët nuk do të lejohen të largohen, përveçse të shkojnë në vende të tjera, theksoi Katz.

Katz i ka urdhëruar ushtrisë të fillojë hartimin e planeve operative për ndërtimin e “qytetit humanitar” mbi rrënojat e Gazës jugore, për të strehuar fillimisht 600,000 njerëz dhe përfundimisht të gjithë popullsinë palestineze.

“Nëse ata [palestinezët] do të deportohen në ‘qytetin e ri humanitar’, atëherë mund të thuhet se kjo është pjesë e një spastrimi etnik. Nuk ka ndodhur ende”, mendon Olmert.

Olmert nuk e konsideroi fushatën aktuale të Izraelit si spastrim etnik sepse, tha ai, evakuimi i civilëve për t'i mbrojtur ata nga luftimet ishte i ligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar dhe palestinezët ishin kthyer në zonat ku operacionet ushtarake kishin përfunduar.

Projekti i “qytetit humanitar” mbështetet nga kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe refuzimi i Izraelit për t'u tërhequr nga zona që Katz parashikon për kampin është një pikë ngërçi në negociatat e lëkundura për një marrëveshje armëpushimi, kanë raportuar mediat izraelite.

Avokatët dhe studiuesit izraelitë të të drejtave të njeriut e kanë përshkruar planin si një plan për krime kundër njerëzimit dhe disa kanë paralajmëruar se nëse zbatohet, “nën kushte të caktuara mund të përbëjë krimin e gjenocidit”.

Olmert, i cili udhëhoqi Izraelin nga viti 2006 deri në vitin 2009, foli me The Guardian ditën kur u mbajtën funeralet në Bregun Perëndimor të pushtuar për dy burra palestinezë, njëri shtetas amerikan, të cilët ishin vrarë nga kolonët izraelitë. /Telegrafi/