Qytetari nga Rahoveci dorëzon në polici 1,800 euro të gjetura

Policia e Kosovës vlerëson gjestin si shembull të ndershmërisë qytetare
Rahovec, 7 nëntor 2025 – Një qytetar nga fshati Ratkoc i Rahovecit ka treguar ndershmëri dhe përgjegjësi të lartë qytetare, duke dorëzuar në polici një shumë parash të gjetura gjatë lëvizjes së tij në qytet.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, Skender Krasniqi, teksa po kalonte në rrugën “Mulla Cufa” në Rahovec, ka gjetur 1,800 euro – nëntë kartëmonedha nga 200 euro secila – dhe menjëherë i ka dorëzuar në Stacionin Policor të Rahovecit.
Pas veprimeve hetimore të njësive policore, është identifikuar pronari i shumës së humbur dhe paratë i janë kthyer atij në tërësi.
Në komunikatë, Policia e Kosovës ka shprehur mirënjohje për veprimin e z. Krasniqi, duke e cilësuar si shembull të ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare, që forcon besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të rendit dhe drejtësisë.

















































