Komuna e Gjilanit tash e disa muaj ka nisur realizimin e një sërë projekteve infrastrukturore në disa zona të qytetit, me theks të veçantë në përmirësimin e rrugëve, zgjerimin e infrastrukturës dhe përfundimin e projekteve të kanalizimit dhe ujësjellësit.

Një nga projektet më të rëndësishme është ai për zgjerimin e rrugës “Hamdi Kurteshi” (e njohur si rruga e Malishevës).


Ndërsa, disa nga qytetarët kanë kërkuar që kjo rrugë të mos mbyllet për qarkullim, pasi sipas tyre, mbyllja po rëndon qarkullimin në pjesë të tjera të qytetit.

Punimet në këtë segment kanë filluar kohë më parë dhe ndonëse kontrata ka një afat prej 37 muajsh, siç deklaroi për Telegrafin drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Kushtrim Ibrahimi, ato pritet të përfundojnë këtë vit.

“Afati i kontratës është 37 muaj, mirëpo sipas planit dinamik me operatorin ekonomik, pritet të përfundohet këtë vit”, ka bërë të ditur  Ibrahimi.

Në zonën përreth qendrave tregtare po realizohet një tjetër projekt, ku shumë qytetarë kanë adresuar ankesat e tyre për shkak se punimet po e vështirësojnë qarkullimin e veturave dhe mbi të gjitha edhe po i dëmtojnë ato.

Qytetarët kanë kërkuar që të shtohet intesiteti i punës në mënyrë që punimet të përfundojnë sa më parë.

Ndërsa, Ibrahimi shtoi se në atë pjesë po punohet në kanalizimin atmosferik për ujërat e shiut.

 “Gypi kryesor është përfunduar, vetëm edhe ujëmbledhësit kanë mbetur dhe po shpresojmë të asfaltohet këtë muaj”, tha Ibrahimi.

Ndërkaq, në lagjen Dardania, konkretisht te shkolla fillore “Selami Hallaqi”, Ibrahimi thotë se është duke u zhvilluar një projekt i “Hidromoravës”, që përfshinë ndërrimin e gypit kryesor dhe kyçjen e banorëve.

“Nuk kemi informatë të saktë se kur përfundon, edhe pse është duke u punuar në atë pjesë”, shtoi ai. /Telegrafi/