Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Obiliq ka njoftuar qytetarët për ndryshimin e orarit të ofrimit të shërbimeve shëndetësore, i cili do të hyjë në fuqi nga 4 maji.

Sipas njoftimit, shërbimet e mjekësisë familjare do të ofrohen nga ora 07:00 deri në 15:00, ndërsa pas kësaj ore do të funksionojnë vetëm shërbimet emergjente dhe ai paliativ.


“Pas orës 15:00 do të trajtohen vetëm rastet emergjente që rrezikojnë jetën”, thuhet në njoftim.

Nga QKMF bëhet e ditur se ky ndryshim synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe menaxhimin më efikas të burimeve njerëzore dhe teknike.

“Qëllimi i këtij ndryshimi është rritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, shfrytëzimi më efikas i stafit dhe resurseve, si dhe zvogëlimi i pritjeve për pacientët gjatë ditës”, theksohet më tej.

Po ashtu, sipas këtij institucioni, ndryshimi i orarit pritet të mundësojë trajtim më të shpejtë dhe me prioritet për rastet urgjente.

QKMF u ka bërë thirrje qytetarëve që për kontrolle rutinë, receta dhe këshilla mjekësore të paraqiten brenda orarit të rregullt.

“Lusim qytetarët që për kontrolle, receta, këshilla mjekësore dhe gjendje jo urgjente të paraqiten gjatë orarit 07:00–15:00”, thuhet në njoftim.

Nga ky institucion kërkohet bashkëpunimi i qytetarëve, në mënyrë që pacientët me urgjenca të marrin trajtimin e nevojshëm në kohë. /Telegrafi/