Shqipëria ka numrin më të madh të skllevërve në Britaninë e Madhe. Sipas një studimi të fundit, në Britaninë e Madhe mund të ketë nga 10 deri në 13 mijë viktima të skllavërisë, ku sipas Home Office, viktimat përfshijnë njerëz të trafikuar nga më shumë se 100 vende.

Numri më i madh i tyre vjen nga Shqipëria, e pasuar nga Nigeria, Vietnami dhe më pas nga Rumania.


Skllevërit modernë përfshijnë gratë që detyrohen të ushtrojnë prostitucionin, ata që punojnë me të zezë nëpër shtëpi, fusha, fabrika apo edhe anije peshkimi, gjë e cila ka rritur mjaft shqetësimin e këtij krimi të fshehtë, por shumë në rritje.

Home Office ka nisur një strategji për të ndihmuar dhe trajtuar viktimat e skllavërisë moderne. Ligji për skllavërinë moderne ka kaluar në Parlamentin britanik, me qëllim rritjen e kompetencave të gjykatave në Angli dhe Uells për të mbrojtur personat e trafikuar kundër vullnetit të tyre. Ndërkaq, ministrja e Brendshme britanike, Teresa May, tha se legjislacioni është vetëm një pjesë e strategjisë kundër skllavërisë.

The Herald shkruante se trafiku i qenieve njerëzore u siguron trafikantëve në botë një fitim neto prej 87 miliardë funtesh. Në shkurt të këtij viti, gazeta The Indipendent citonte një raport të Agjencisë Kombëtare të Krimit, sipas të cilit, 140 fëmijë ishin trafikuar në Britaninë e Madhe për qëllime seksuale.

Pjesa më e madhe e tyre, sipas këtij raporti, ishin shqiptarë. BBC-ja, teksa i referohej raportit të organizatës “Salvation Army”, theksonte se janë 180 gra dhe vajza nga Shqipëria që kanë marrë ndihmë, nga 540 gra që ka ndihmuar kjo organizatë.

Nga ana tjetër, në raportin e fundit të qershorit të këtij viti të Departamentit Amerikan të Shtetit, thuhej se “Shqipëria është një vend burimi dhe destinacioni për burra, gra e fëmijë që i nënshtrohen trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe për punë të detyruar. Femra dhe fëmijë shqiptarë i nënshtrohen në radhë të parë trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual brenda Shqipërisë dhe në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë, Belgjikë, Holandë, Gjermani, Zvicër, Irlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar”. /Gazeta Shqip/