Rreth 300 mijë euro ka ndarë Qeveria në detyrë e Kosovës për Komunën e Podujevës dhe të Shtimes.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se këto mjete ndahen për projekte që kanë të bëjnë me përmirësimin e menaxhimit të ujërave të zeza në këto dy komuna.


“Shqyrtimi i propozim vendimit për ndarjen e mjeteve buxhetore për komunat: Podujevë dhe Shtime, për përfitimin e projekteve në klauzolë të investimeve të Fondit Burimor. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e ka sjellë për aprovim kërkesën për ndarjen e mjeteve buxhetore. Për Komunën e Podujevës 178 mijë e 730 euro dhe Komunë e Shtimes 117 mijë e 758 euro e 24 cent. Këto projekte kanë të bëjnë me përmirësimin e menaxhimit të ujërave të zeza në këto dy komuna”, tha Kurti.

Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar janë ndarë edhe 580 mijë euro për pesë projekte kapitale.

Ministria e Zhvillimit Rajonal ka propozuar të aprovohet rialokimi i mjeteve në shumë prej 587 mijë e 569 euro gjithsejtë për pesë projekte kapitale dhe atë në komunat Vushtrri, Gjilan, Junik, Zubin Potok dhe Rahovec.

Qeveria ka emëruar edhe drejtorin i përgjithshëm të Institutit të Kosovës për Administratë Publike, Hysen Muzliukaj, me mandat katërvjeçar.

Po ashtu është votuar edhe për emërimin e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Shemsi Duriqin. /kp/