Sot (e enjte), 27 nëntor, Qeveria e Kosovës në detyrë ka mbajtur mbledhjen e 277-të duke ndarë premio edhe për ekipin e Kombëtares së Kosovës pas sigurimit të fazës ‘play-off’ për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Kombëtarja e Kosovës i ka mbyllur kualifikueset për Kampionatin Botëror në pozitën e dytë të Grupit B, pas Zvicrës, duke siguruar kështu fazën ‘play-off’.


Pas shortit të hedhur para disa ditësh në Cyrih të Zvicrës, Dardanët do të ndeshen me Kombëtaren e Sllovakisë në gjysmëfinale, ndërsa në rast fitoreje në finalen e madhe për kualifikim do të luajnë me fituesin e takimit Turqi-Rumani.

Për këtë sukses të ekipit kombëtar, Qeveria e Kosovës në detyrë ka vendosur t’i ndajë një premio prej 250 mijë eurosh dhe këtë e ka konfirmuar Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së 277-të.

“Për suksesin historik në këtë fushatë të kualifikimeve në Kupën e Botës 2026 kalimi në fazën e play-off-it me vendim të qeverisë sot do të ndajmë 250 mijë euro shpërblim”, ka thënë fillimisht Kurti.

“Në fazën e radhës hymë me plot vetëbesim, besimin tonë në ta po e shprehim me zotimin tona për ta. Së pari, në rast të fitores ndaj Sllovakisë zotohemi për shpërblim prej 500 mijë euro dhe së dyti në rast kualifikimi në Kupën e Botës, zotohemi edhe për 1 milionë euro tjera shpërblim”, përfundoi kryeministri në detyrë. /Telegrafi/

telegrafi sport app