LAJMI I FUNDIT:

Qeveria dhe KEK-u me qëndrime të kundërta për krizën e paralajmëruar energjetike (Video)

Qeveria dhe KEK-u me qëndrime të kundërta për krizën e paralajmëruar energjetike (Video)

Sonte, në emisionin “Përballje” – prodhim i Telegrafit me gazetarin Muhamet Hajrullahu – është diskutuar situata energjetike në Kosovë.

Ani pse është thënë se mund të ketë krizë energjetikë në Kosovë, pas dy javësh, zyrtari i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe ai Qeverisë së Kosovës kanë dhënë vlerësime të ndryshme për këtë. Madje, ata kanë kritikuar njëri-tjetrin për neglizhencë dhe për mos përmbushje të obligimeve.


Drejtori i KEK-ut, Arben Gjuka, ka deklaruar se KEK-u i ka lajmëruar të gjitha institucionet relevante për gjendjet që mund të sjell një krizë totale me furnizim të energjisë elektrike. Sipas tij, kjo kompani kishte nisur procedurat e parapara për shpronësim, mirëpo kishte pengesa kur në zonën e paraparë nisin ndërtimet e reja.

“Me 1 gusht 2016 e kemi ndal zgjerimin apo operimin në 52 hektarë, në drejtim të Shipitullës në Obiliq, ndërsa rezervat janë duke u pakësuar dhe janë në shterrim e sipër. Për rezervat që i kemi momentalisht, duhet një vendim nga java e ardhshme se si duam t’i shfrytëzojmë: menjëherë apo në mënyrë graduale”, ka thënë ai. “Në këto dy javë do të dalim me një zgjidhje se si të bëhet furnizimi me energji elektrike. KEK-u i ka kryer të gjitha punët që i kanë takuar”.

Në anën tjetër, Afrim Murati – drejtor i Departamentit të Shpronësimit në Ministrisë së Mjedisit – ka deklaruar se jo KEK-u po Qeveria i ka kryer punët e saja sa i përket shpronësimeve. Sipas tij KEK-u, është dashtë të kryejë planin e zhvendosjes, mirëpo për shkak të konfliktit të interesit dhe specifikave tjera, me rekomandim të Bankës Botërore ka angazhuar një kompani kanadeze me përvojë në fushën e implementimit të politikave të zhvendosjes.

“Në momentin që KEK-u dhe kompania kanadeze kanë deklaruar se ka dështuar procesi i zhvendosjes dhe se pronarët nuk janë të gatshëm për marrëveshje, atëherë KEK, me datë 14 korrik, ka bërë kërkesë për shpronësim të tokave konform ligjeve. Ne menjëherë e kemi dërguar propozimin në Qeveri “, ka thënë Murati i cili demanton Gjukën që thotë se nga institucionet qendrore ka pasë neglizhencë. /Telegrafi/