LAJMI I FUNDIT:

Qendra “Woodrow Wilson” del me raport: Konsolidimi i sovranitetit të Kosovës – Pse ka rëndësi dhe çfarë duhet bërë tani

Qendra “Woodrow Wilson” del me raport: Konsolidimi i sovranitetit të Kosovës – Pse ka rëndësi dhe çfarë duhet bërë tani

Qendra “Woodrow Wilson” në Washington ka publikuar një raport lidhur me konsolidimin e sovranitetit të Kosovës dhe çfarë duhet bërë.

Në këtë raport thuhet se Qeverisë së re nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti i nevojitet përkrahja e aleatëve ndërkombëtar të Kosovës, sidomos ShBA-ve dhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ajo të jetësojë agjendën e saj të brendshme dhe që të konsolidojë sovranitetin e Kosovës

Përmbledhje e raportit:  


Tani ekziston një mundësi e rrallë për të zgjidhur një nga burimet kryesore të tensioneve ndër-shtetërore në Ballkanin Perëndimor: mospajtimin në mes të Kosovës dhe Serbisë mbi sovranitetin e Kosovës.

Populli i Kosovës ka zgjedhur një qeveri progresive me një shumicë të fortë në Kuvend e që ka garuar në zgjedhje duke ofruar një platformë kundër korrupsionit.

Qeverisë së re nën udhëheqjen e Kryeministrit Albin Kurti i nevojitet përkrahja e aleatëve ndërkombëtar të Kosovës—sidomos ShBA-ve dhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE)—që ajo të jetësojë agjendën e saj të brendshme dhe që të konsolidojë sovranitetin e Kosovës.

Mbështetja e ri-fuqizuar nga ShBA dhe BE është e nevojshme që të arrihet synimi i shteteve të pavarura dhe shoqërive shumë-etnike që bashkëjetojnë në paqe në Ballkanin Perëndimor. Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për këto parime; por jo Serbia. ShBA dhe BE duhet të përballen me qeverinë gjithnjë e më autoritare të Serbisë dhe me politikën e saj të jashtme destabilizuese.

Të shtyrë nga shqetësimet se Beogradi mund të vihet nën ndikimin më të madh të Moskës, ndikuar nga madhësia dhe fuqia krahasuese e Serbisë, dhe nga diplomacia efektive dy- dhe shumëpalëshe e Serbisë, vendet perëndimore i kanë dhënë Serbisë një pozitë të privilegjuar në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Por, në vend të kësaj qasjeje, Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja duhet të këmbëngulin që Serbia të plotësojë të njëjtat standarde—përkitazi me korrupsionin, kleptokracinë, demokratizimin, të drejtat e pakicave dhe bashkëjetesën rajonale—që kërkohen nga të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, transmeton Telegrafi.

Serbia po lehtëson ndikimin në rritje të shteteve joliberale në Ballkanin Perëndimor. Rusia dhe Kina në veçanti po përdorin Serbinë si një vegël për të rritur fuqinë dhe ndikimin e tyre dhe për të minuar të arriturat perëndimore në rajon.

Një angazhim i ri-përtërirë për konsolidimin e sovranitetit të Kosovës është një mjet i qartë me të cilin partnerët e Kosovës mund të tregojnë përkushtimin e tyre ndaj një partneri demokratik dhe të mbajnë qëndrim parimor kundruall sjelljes joliberale e destabilizuese të Serbisë si dhe të kundërshtojnë lidhjet e saj ushtarake në rritje me Rusinë dhe Kinën.

Kjo duhet të përfshijë jetësimin e qasjes si në vijim.

Për Shtetet e Bashkuara, BE-n, Mbretërinë e Bashkuar, dhe NATO-n:

Riangazhoni për në një dialog të ripërtërirë që trajton Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta, duke njohur sovranitetin dhe integritetin territorial të secilës prej tyre. Lehtësuesit e dialogut, ShBA dhe BE, duhet të mbështesin këto parime dhe në mënyrë të qartë t’i refuzojnë ndryshimet e kufijve.

Kërkoni llogari nga Kosova dhe Serbia për përmbushjen e zotimeve të ndryshme që janë bërë përgjatë dialogut.

Shtoni mbështetjen për pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare që janë kyçe për sigurinë e brendshme dhe atë ndërkombëtare: Këshilli i Evropës (KE), Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Organizata Botërore e Shëndetit (OBSh), Interpol, dhe UNESCO.

Inkurajoni pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën (Qipron, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën) ta ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj pavarësisë së Kosovës. Në mungesë të njohjes së Kosovës këto shtete të paktën nuk duhet t’i pengojnë aplikimet e Kosovës për anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Jetësoni menjëherë liberalizimin e vizave për Kosovën. Franca dhe Holanda duhet të heqin dorë nga kundërshtimi i tyre.

Kërkoni nga Serbia që ta ndërpresë fushatën e saj kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe fushatën e saj paralele për të bindur shtetet e ndryshme që ta tërheqin njohjen e tyre të pavarësisë së Kosovës.

Këmbëngulni që Kosova dhe Serbia të mos ndjekin bashkimin me vendet ose territoret e vendeve fqinje. Bëni të qartë se Kosova dhe Serbia mund të ecin përpara në procesin e anëtarësimit në BE vetëm për sa kohë që ato i jetësojnë vlerat themeltare të BE-së.

Fuqizoni bashkëpunimin mes Kosovës dhe NATO-s. Lehtësoni zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një ushtri plotësisht operacionale deri në vitin 2027 dhe nxitni bashkëpunim të mëtutjeshëm në stërvitje të përbashkëta ushtarake.

Përcaktoni deri në vitin 2027 një rrugë të qartë për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) duhet të qëndrojë në vend deri në atë kohë kur arsyet për prezencën e misionit nuk qëndrojnë më. Nëse shfaqen kundërshtime të mëdha për anëtarësimin e Kosovës në NATO, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, dhe vendet e Evropiane të cilat e njohin Kosovën duhet të angazhohen, si alternativë, për të nënshkruar një marrëveshje gjithëpërfshirëse të sigurisë dhe mbrojtjes me Kosovën.

Për Kosovën:

Sigurohuni që Asociacioni/Bashkësia i/e komunave me shumicë serbe në mënyrë eksplicite të ndërtohet për të mbështetur bashkëpunimin dhe shkëmbimin ndërkomunal, sipas Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve ndërkombëtare dhe atyre të BE-së. Ky Asociacion/Bashkësi i/e komunave nuk duhet të ketë pushtet ekzekutiv përtej fushëveprimit të qeverisë qendrore.

Filloni një dialog paralel të brendshëm në mes komuniteteve shumicë dhe atyre pakicë në të gjitha komunat e vendit. Ky dialog duhet të përfshijë bashkësitë fetare dhe duhet t’i adresojë shqetësimet e njerëzve të Kosovës që deri tani janë përjashtuar nga vendimmarrja.

Për Kosovën dhe Serbinë:

Vendosni njerëzit përpara territorit. Jepni përparësi çështjeve kryesore që ndikojnë në jetën e njerëzve. Kjo nënkupton trajtimin e temave thelbësore që kanë të bëjnë me drejtësinë tranzicionale—gjegjësisht gjetjen e personave të pagjetur dhe vendosjen e drejtësisë për të mbijetuarit e dhunës seksuale—dhe bashkëpunimin ekonomik dypalësh për të luftuar papunësinë.

Pajtohuni për reciprocitetin e të drejtave për komunitetin serb në Kosovë dhe komunitetin shqiptar në Serbi si parim bazë për marrëveshjet e ardhshme që dalin nga dialogu Kosovë – Serbi. Të mbrohen të drejtat pronësore dhe kulturore për të gjithë qytetarët e Kosovës, veçanërisht për pronat e serbëve të Kosovës jashtë Mitrovicës së Veriut dhe zonave përreth, dhe për pronat e shqiptarëve të Kosovës në katër komunat në veri të Kosovës.

Raporti “Konsolidimi i sovranitetit të Kosovës: Pse ka rëndësi dhe çfarë duhet bërë tani është përgatitur nga Qendra “Woodrow Wilson”, në një proces të lehtësuar nga Drilon S. Gashi dhe Ryan Scherba, me bashkautorë Dan Hamilton, Anna Di Lellio, Arben Hajrullahu dhe Aidan Hehir.

Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU: /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gazeta zvicerane citon Kurtin: Kosova të përgatitet për hakmarrje nga Serbia, s’është koha për bashkim me Shqipërinë

Gazeta zvicerane citon Kurtin: Kosova të përgatitet për hakmarrje nga Serbia, s’është koha për bashkim me Shqipërinë

Lajme
Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, po e voziste një fëmijë 11-vjeçar

Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, po e voziste një fëmijë 11-vjeçar

Kronika e Zezë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Lajme
​KFOR, EULEX e Policia e Kosovës mbajnë stërvitjen e përbashkët 'Golden Sabre 2024'

​KFOR, EULEX e Policia e Kosovës mbajnë stërvitjen e përbashkët 'Golden Sabre 2024'

Lajme
Kalo në kategori